Në ditën e saj të pestë të punës, Operacioni Forca e Ligjit, u ka dërguar formularin për deklarimin e burimeve të pasurisë, dy personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në aktivitete kriminale.

Personi i parë, është Arben Isufaj, i njohur ndryshe edhe me nofkën Ben Qimja, me banim në Fier. Sipas policisë, ai rezulton nën hetim në Itali, për veprën penale, Pjesëmarrja në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Arben Isufaj, ka arritur të mbyllë disa procese gjyqësore, me disa beteja të gjata prokurori-gjykatë. Ai është i dyshuar edhe për një vrasje të ndodhur në vitin 2002 në Tiranë. Në 2015, Gjykata e Fierit, vendosi rrëzimin e kërkesës së autoriteteve gjyqësore italiane për t’a ekstraduar Isufajn drejt Italisë, pas një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar prej tyre për veprën penale të pjesëmarrjen në organizatë kriminale me qëllimin trafikimin e lëndëve narkotike.

Subjekti i dytë është Sajmir Taullau, i cili është i dënuar për veprën penale Prodhim dhe shitja e narkotikëve, në bashkëpunim. Taullai njihet si një ndër personat më të njohur të botës së krimit në Lushnje.

Ai është dënuar disa herë për vrasje dhe trafikim të lëndëve narkotike, por gjithnjë ka mundur që të fitojë lirinë. Taullau, ka qëne edhe në hasmëri me bandën e Aldo Bares, e po ashtu dyshohet si i përfshirë në vrasjen e dy të rinjve në Lushnje në vitin 2017, Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit. Në vitin 2018 ai mbeti i plagosur gjatë një atentati pranë biznesit të tij, një autogrill.

“Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për ndjekje të mëtejshme”.

Këto ditë, prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, është njohur edhe me dosjet e para të dërguar nga Operacioni Forca e Ligjit. Bëhet fjalë për subjektet të cilëve u është sekuestruar pasuria, shtetasve, Altin Hajri, Leonard Hajri, Ardian Doçi, Artan Doçi, Gentian Funiqi dhe Martin Bleta.

Të gjithë këta emra dyshohet se janë të përfshirë në rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.

Ndërkaq, lidhur me Operacioni Forca e Ligjit, Ministri i brendshëm Sandër Lleshaj, i ftuar në Emisioni Open në Top Channel, deklaroi të enjten se ky është një aksion i përkohshëm që do të mbyllet në datën 31 dhjetor të këtij vitit.

Andi Bora

Top Channel