Gjyqi për Duty Free në Rinas/ Vendimi jepet në 11 shkurt, seancën e ndoqën diplomatë amerikanë dhe gjermanë

07/02/2020 01:21
dav

Në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë u zhvillua këtë të enjte seanca e fundit për konfliktin mes kompanisë Albania Duty Free Distribution, me pronare bashkëshorten e gjyqtarit Gjin Gjoni, Elona Çaushi dhe Ministrisë së Financave, për liçencën për ushtrimin e aktivitetit tregtar në ambientet Duty Free në Aeroportin e Rinasit. Këtë seancë e ndoqën edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane dhe asaj Gjermane në Tiranë.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, Avokaturës së Shtetit, Drejtorisë së Përgjithshme Doganave, kompanisë amerikane International Cruise Duty Free që ka fituar tenderin dhe të konçesionarit Tirana International Airport parashtruan konkluzionet para gjyqtarit Avni Sejdi, në mbështetje të vendimit të Financave për t’i anuluar autorizimin kompanisë së Elona Çaushit për ushtrimin e aktivitetit Duty Free.

Sipas tyre, ADFD-ja ka gënjyer kur ka aplikuar për liçencë, duke mos informuar ministrinë se kishte humbur tenderin që në shkurt të 2019 dhe i mbaronte kontrata me TIA-n për menaxhimin e dyqane Duty Free. Nga ana tjetrër, avokatët e çiftit Gjoni kërkuan rrëzimin e vendimit për anulimin e liçensës, e cila është vendimtare për kontrollin e dyqaneve në Rinas, për të cilat ADFD ka humbur tenderin si dhe i ka mbaruar kontrata që në 27 gusht 2019.

Kompania amerikane ICDF ka fituar tenderin dhe ka lidhur një kontratë me TIA që në korrik të 2019 për menaxhimin e ambienteve tregtare, të cilat sot i kontrollon familja Gjoni, përmes dy vendimeve paraprake të dy gjyqtarëve pa Vetting, Avni Sejdi dhe Mimoza Kajo Brahimi. Në përfundim të konkluzioneve të palëve, gjyqtari Avni Sejdi kërkoi kohë për marrjen e vendimit përfundimtar deri në 11 shkurt. Pak para kësaj seance reagoi ambasadorja amerikane Yuri Kim.

Ajo i tha Zërit të Amerikës se çështja gjyqësore lidhur me administrimin e zonës së dyqaneve “duty free” në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, e cila po mban pezull fillimin e aktivitetit të kompanisë amerikane International Cruise Duty Free, ICDF, e shpallur fituese e garës së hapur nga aeroporti “është një lakmus për mjedisin e biznesit dhe aftësinë e Shqipërisë për të tërhequr dhe mbrojtur investimet e huaja direkte”.

“Nëse Shqipëria dëshiron mundësi më të mëdha ekonomike dhe që të tërheqë më shumë investues të huaj, ajo duhet të demonstrojë se cilido luan sipas të njëjtave rregulla transparente dhe se ato rregulla aplikohen në mënyrë të barabartë dhe të drejtë ndaj çdo personi, çdo institucioni dhe çdo biznesi”, i tha ambasadorja Zërit të Amerikës përmes një deklarate, duke nënvizuar se “përforcimi i lidhjeve të biznesit midis SHBA dhe Shqipërisë është një prej tri prioriteteve të mia kryesore si ambasadore e SHBA në Shqipëri”.

Që prej korrikut të vitit të kaluar, kur nënshkroi dhe kontratën me Tirana International Airport (TIA) shoqërinë që administron aeroportin e Tiranës, kompania amerikane nuk ka mundur të marrë në zotërim zonën e dyqaneve “duty free”.

Përmes një serie lëvizjesh dhe padish në gjykata, Albania Duty Free Distribution (ADFD), kompania e cila ka administruar zonën “duty free” që prej viteve 2000, nuk u largua , ndonëse rezultoi humbëse e garës së hapur nga TIA.

Top Channel