Reshjet e borës që kanë vijuar përgjatë natës në qarkun e Korçës kanë shkaktuar probleme me qarkullimin në disa zona.

Që në orët e para të mëngjesit eshte konstatuar e bllokuar zona e Dardhës, Qafa e Qarrit në Ersekë, Zona e Liqenasit si edhe Vithkuqi dhe zona e Lekasit. Reshjet e borës, vijojnë të bien me intensitet të lartë duke e bërë të vështirë qarkullimin pa zinxhirë.

ARRSH bën me dije se kontraktorët janë në terren dhe po hapin dhe kriposin akset më problematike, ndërkohë që i bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të kenë kujdes dhe të pajisen me zinxhirë. Fshati Dardhë është i kalueshëm me zinxhirë nga kilometri 5 deri të 14. Vështiresi ka patur edhe në Qarr, ku është punuar nga kontraktorët për hapjen dhe kriposjen e aksit. Të gjitha akset e tjera të kalueshme pa zinxhirë.

Shkodër

Ndërkohë situata në qarkun e Shkodrës paraqitet normale pas reshjeve te dëborës ne zonat malore. Në fshatrat e Dukagjinit dhe në Kelmend, dëbora ka arritur deri në 15 centimetër, ku si pasoje banorët prej disa ditësh janë pa energji elektrike dhe i bëjnë apel OSHEE që të ndërhyjë. Edhe në fshatrat e Pukës dhe Fushë – Arrëzit reshjet e deborës kanë vazhduar edhe gjatë mbrëmjes së te merkurës.

Bulqizë

Situatë e rënduar nga temperaturat e ulëta raportohet ne Bulqizë, ku trashësia e bores shkon nga 15 deri ne 40 centimetra, ndërsa në zona të thella malore ulja e temperaturave ka shkuar deri në -10 gradë.

Një situatë e tillë ka bërë që fshatra në zona të thella, po shkojnë drejt izolimit. Në këto fshatra ka patur edhe mungesa të nxënësve në vijimin e mësimit. Të gjitha rrugët që lidhin qendrat e njësive administrative me Bulqizën, jane të kalueshme vetëm me zinxhirë.

Po kështu probleme ka patur edhe me ndërprerjen e energjisë elektrike në mjaft njësi administrative si; Zerqan, Martanesh, Ostren, Trebisht,Fushë Bulqizë dhe Shupenzë, për shkak të defekteve në linjat e transmetimit.

Mungesa e energjisë gjatë natës ka patur edhe në qytet.Probleme janë shkaktuar edhe në vijimin e punës në minerat e kromit në Bulqizë dhe Krastë të Martaneshit, për shkak të rrugës e cila kalohet me mjaft vështirësi edhe me zinxhirë për shkak të ngricave nga temperaturat e ulta.

 

Top Channel