Muzeu i arteve në Baltimore, këtë vit ua kushton grave.
Për këtë arsye, ka vendosur që gjatë 2020-tës, të blejë vetëm vepra të realizuara nga femrat. Përmes një nisme të tillë, muzeu kërkon të shënojë 100 vjetorin e të drejtës së votës nga gratë në SHBA. Në sallat e tij, do të çelen për këtë qëllim 23 ekspozita.
“Kemi 23 ekspozita të fokusuara vetëm tek artistet femra dhe gratë lidere në të gjithë institucionet, përgjatë gjithë vitit kalendarik. Përpos kësaj, çdo departament është i detyruar të propozojë për blerje objekte të krijuara nga gratë”, u shpreh Christopher Bedford, drejtor i muzeut të Baltimores.
Më tej vazhdoi:
“Mund të them se kemi qenë diskriminues për një kohë të gjatë. Është e qartë se ai diskriminim nuk e ka një emër të veçantë, ishte çështje zakoni. Dhe nëse nuk çrrënjoset ky zakon, dhe ne nuk gjejmë në mënyrë të ndërgjegjshme për ta luftuar, atëherë nuk do të kemi asnjëherë një muze ku të ekzistojë siç duhet barazia.”
Për veprat e krijuar nga gratë, muzeu do të shpenzojë këtë vit $2.5 milionë dollarë. Ai po ashtu do të riorganizojë disa prej sallave të tij për këtë qëllim, ndonëse siç thuhet, do të vazhdojë të pranojë donacione arti nga meshkujt.
Top Channel