Doktori kinez, i cili u përpoq të paralajmëronte njerëzit për koronavirusin e Wuhan-it, nga i cili u prek edhe vetë, ka ndërruar jetë. Të paktën kështu raportojnë disa nga mediat lokale në Kinë.
Më 30 dhjetor të vitit të shkuar, Li Wenliang do të lëshonte një “bombë” të vërtetë në një grup chat-i, të aplikacionit “WeChat”. Ai shkroi se shtatë pacientë ishin diagnostikuar me një sëmundje të ngjashme me virusin SARS.
Wenliang sqaroi se, sipas testeve që kishte vërejtur, bëhej fjalë për koronavirusin – familje e madhe e viruseve, ku përfshihet edhe virusi SARS. Në vitin 2003, qindra persona kishin vdekur nga virusi SARSA.
“Unë vetëm doja nga kolegët që të tregoheshin të kujdesshëm”, tha ai.
Mjeku 34-vjeçar nga qyteti Wuhan, që është epiqendra e virusit të ri, u kishte thënë miqve që t’i paralajmërojnë të afërmit e tyre në mënyrë private. Megjithatë, pas disa orëve, mesazhet e tij ishin publikuar dhe shpërndarë gjerësisht.
“Kur i pashë mesazhet duke qarkulluar në internet, kuptova se kishin dalë nga kontrolli dhe ndoshta do të ndëshkohesha”, tha mjeku Li.
Ashtu ndodhi! Disa orë pas publikimit të mesazheve, mjeku u akuzua nga policia lokale për përhapje të informacioneve të rreme, shkruan “CNN”.
Nga një sektor i kujdesit intensiv në spital, ai i tha rrjetit CNN se të shtunën kishte marrë lajmin se ishte i infektuar me koronavirus.
Cila është historia e Li Weanliang?
Mjeku okulist, 34 vjeç kishte vërejtur shtatë raste të infektuar nga një virus, i cili sipas tij përngjante me virusin “Sars”, që çoi në një epidemi globale në 2003.
Më 30 dhjetor ai u dërgoi mesazh disa mjekëve të tjerë, duke i paralajmëruar ata që të vishnin rroba mbrojtëse në mënyrë që të shmangnin infeksionin. Katër ditë më vonë ai u thirr në Byronë e Sigurisë Publike, ku iu kërkua që të nënshkruante një letër. Në letër ai akuzohej për “komente false që trazonin rendin shoqëror”. Doktor Li ishte një nga tetë personat që po hetohej për “përhapjen e thashethemeve”.
Në një postim të tijin në rrjetet sociale, doktor Li përshkruante se si më 19 janar filloi kollitjen, ditën tjetër ai kishte ethe dhe dy ditë më vonë përfundoi në spital. Ai u diagnostifikua me koronavirus më 30 janar, duke humbur edhe jetën.
Top Channel