Kryeministri Edi Rama nga SHBA u shpreh se me metodologjinë e re të BE-së për integrimin ka disa argumente të mira, pasi është bërë më e drejtë dhe parashikueshme për të gjithë.

Por i pyetur se kur mund të kemi një datë për negociatat tha se:”Kam thënë mjaftueshëm dhe jam zhgënjyer mjaftueshëm”.

“Na duhet të presim momentin që jo vetëm ne të jemi të mirët por edhe ata të jenë mirë. Është bërë progres edhe në bazë të metodologjisë së re disa argumente janë të mira. Edhe pse mund ta kishim pasur më të lehtë pa këto argumente, por tani është bërë më e drejtë dhe parashikueshme për të gjithë, pasi po bëhej makth dhe skizofrenike. Këshilli gjithmonë e më tepër mbeti peng e dinamikave të brendshme të vendeve të tyre. Në kohën kur britanikët u larguan, Europa për shqiptarët është shumë.

Ky është i pari vend ku donim të ishim për një kohë të gjatë. Kjo është si martesa, duhet të martohesh për të kuptuar se nuk është e njëjta gjë që kishte menduar. Asnjëherë nuk kemi mundur të zgjedhim më parë, tani që prej 3 dekadave po luftojmë të bëjmë zgjedhjet tona realitet. Vendimi për negociatat u perceptua keq, sepse e meritonim. Bëmë gjithcka që një vend si ne duhet të bënte për të çelur bisedimet. Asnjë vend përpara bisedimeve për anëtarësim nuk ka bërë aq shumë sa kemi bërë ne, sepse procesi u bë gjithmonë edhe më kërkues. Natyrisht kemi probleme me krimin dhe korrupsionin, për të pasur institucione më mirë funksionale dhe transparente, por nëse nuk do i kishim do të kërkonim të bëheshim anëtarë që sot. Por sot janë më pak se më parë.

Nuk është se po pretendojmë një dhuratë, por një udhërrëfyes të mirë të konsoliduar. Reforma në drejtësi që po kryejmë është reale dhe është e mundur vetëm për shkak të mbështetjes së SHBA dhe njohurive të BE-së. Për francezët kam thënë, nuk ka të bëjë me ne, por me ata, me vendimin e tyre se cfarë duan për veten e tyre dhe zgjerimin. Kanë një nivel të caktuar hipokrizie, pasi do të kishte qenë më e ndershme që të thonin, që ju i keni bërë detyrat, por ne nuk jemi gati të flasim tani, se duhet të zgjidhim ca probleme. Presidenti francez ka qenë më i drejtpërdrejti. Datë për negociatat? Kam thënë mjaftueshëm dhe jam zhgënyjer mjaftueshëm, pasi me këta të gjithë nuk i dihet se janë 27 krerë shtetesh, që kanë 27 zgjidhje të ndryshme” tha ai.

Top Channel