Dy ditët e fundit kanë parë Barcelonën të hyjë në një lloj krize që mund të shkaktonte probleme shumë të mëdha në pjesën më të rëndësishme të sezonit.
Eric Abidal dhe Lionel Messi u bënë protagonistë të deklaratave të forta aq sa detyruan presidentin e Barcelonës, Josep Maria Bartomeu të ndërhyjë, një ndërhyrje kjo që rezultoi me sukses teksa kreu i klubit blaugrana arriti të ulë tensionet dhe të pajtojë palët e përfshirë në këto polemika.
Në median spanjolle u fol për mundësinë e shkarkimit të Abidal nga posti i Drejtorit Sportiv, por Bartomeu nuk kishte ndërmend të merrte këtë masë drastike dhe në fund arriti të shuajë tensionet duke e lënë në këtë detyrë Abidal. Gjithnjë sipas medioas spanjolle, Bartomeu përpara se të kthehej në Barcelonë nga një vizitë në Bruksel, zhvilloi bisedë telefonike si me messin ashtu edhe me Abidal për atë çfarë ndodhi të martën dhe deklaratat e tyre.
Më pas në orët e pasdites të së mërkurës ai u takua me Abidal dhe Oscar Grau, një takim që zgjati 2 orë duke zgjidhur çdo mosmarrëveshje me kapitenin e skuadrës Lionel Messi. mësohet se si Abidal ashtu edhe Messi shpjeguan arsyet e tyre dhe në fund u vendos paqja mes tyre.
Pas gjithë kësaj historie, Abidal do të kthehet te detyra e tij për të vijuar punën me projektin sportiv të Barcelonës me klubin katalanas që pas këtij incidenti vendosi që të bashkojë forcat duke parë sfidat e rendësishme që e presin në ditët dhe javët në vazhdim.
Top Channel