Oliver Varhelyi

Komisioni Evropian dhe komisioneri i Zgjerimit Oliver Varhelyi sot do të paraqesin propozimin e tyre për zgjerimin.

Burime nga komisioni thonë se propozimi ka marrë parasysh qëndrimet e shteteve anëtare dhe “interesat gjeostrategjike të BE”, por edhe interesat e vendeve që duan të hynë në bllokun europian.

Komisioneri Varhelyi sqaron se metodologjia e re do të bazohet në katër parime: kredibiliteti, parashikueshmëria, dinamika dhe forcimi i udhëheqjes politike. Ai kërkon një proces më dinamik dhe më me kredibilitet për zgjerimin.

“Nuk duan që ta ndalojnë procesin e zgjerimit, por ta avancojnë atë”, thonë të njëjtat burime. Fokusi i metodologjisë së re do të përqëndrohet tek forcimi i shtetit juridik, forcimi i institucioneve demokratike dhe zhvillimi ekonomik.

“Këto janë çështjet, të cilat prekin vet thelbin e transformimit të shoqërive në Ballkanin Perëndimor”, mendon Varhelyi. Sipas komisionerit, këtë metodologji nuk duhet ta aplikojnë Serbia dhe Mali i Zi, të cilat i kanë nisur negociatat me rregullat aktuale. Por pritet që edhe në negociatat me këto dy vende të kenë modifikime dhe përshtatje sipas metodologjisë së re dhe të vjetër.

Të gjithë në Bruksel insistojnë që synimi i fundit i negociatave të jetë anëtarësimi i plotfuqishëm në BE. Mendohet se strategjia e re do të definojë çështjen e kapitujve të negociatave, çështjen e financimit, ndërlidhjet më të mira mes respekimit të shtetit juridik dhe financave, procesin e transformimit të Ballkanit Perëndimor, thotë DW. KE parashikon hapjen e një debati të gjerë për këtë strategji, menjëherë pas prezantimit të tij.

Në Bruksel shpresohet, se në samitin e majit në Zagreb do të hapen negociatat edhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe se kjo do të rezultojë me një hov të ri për zgjerimin e BE.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA