Fiks Fare denoncoi veprimet e disa institucioneve, të cilat me zvarritjet dhe procedurat burokratike i kanë shkaktuar shtetit një dëm rreth 1.2 milionë euro.
Emisioni investigativ shfletoi dokumentet e tenderit të lavanderisë në Spitalin “Nënë Tereza” që ka kryer Agjencia e Blerjeve të Përqendruara. Vlera e tenderit kryesor është plot 10 milionë euro. Megjithëse procedurat janë bërë në muajin korrik, ende ato zgjasin, duke detyruar QSUT të bëjë të tjerë tendera emergjencë. Në atë kohë u bë normalisht tenderi, ku kjo agjenci skualifikoi kompaninë që kishte ofruar më pak. Por, çuditërisht nuk fitoi dhe çështja shkoi në Komisionin e Prokurimit Publik. Ky komision i dha të drejtë kësaj kompanie, por deri më sot vendimi nuk po zbatohet dhe nga ana tjetër, janë zhvilluar disa tendera emergjencë. “Fiks Fare” bëri një vëzhgim në disa pavijone të QSUT, ku problemet burokratike të letrave kanë zbritur deri te pacientët. Disa pacientë janë detyruar që të marrin çarçafë nga shtëpia, ndërkohë në disa krevat nuk ka çarçafë. Në disa krevate çarçafët janë të pa hekurosur, ndërkohë disa pacientë thonë se janë detyruar të marrin çarçafë nga shtëpia.
Problemet e përsëritura për lavanderinë
Katër vjet më parë, tenderi i lavanderisë në Spitalin “Nënë Tereza” dështoi, duke sjellë që të sëmurëve nuk i ndërrohej çarçafi. Katër vjet më vonë, i njëjti problem është përsëritur, duke detyruar QSUT-në që të bëjë procedura të përshpejtuara për të mundësuar lavanderinë në pavijonet.
Në vitin 2015, QSUT për të mbuluar nevojat e saj, bëri disa tendera me negocim të drejtpërdrejtë, ku fitues ishte një kompani A.G.S shpk. Por, procedurat e atëhershme “detyruan” Kontrollin e Lartë të Shtetit që të bënte një raport dhe të gjente shkelje, që i kushtuan taksapaguesve rreth 100 mijë euro dëm.
Në raportin e KLSH-së thuhet se “nga auditimi u konstatua se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, ka skualifikuar padrejtësisht një operator që paraqiti ofertë më të ulët se operatori fitues. Me skualifikimin e këtij operatori ekonomik është shkelur barazia e pjesëmarrësve në tendera publikë”. Pra, KLSH ishte e qartë në shkeljet, duke bërë edhe një kallëzim penal për rastin në fjalë.
Skualifikimi i kompanisë që ofroi më pak
Tenderi i zhvilluar në vitin 2015 përfundoi në verën e vitit 2019. Para mbylljes, në muajin korrik 2019, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, pranë Ministrisë së Brendshme, hapi tenderin “për shërbimin e lavanderisë dhe hotelerisë për pacientët e hospitalizuar në QSUT” me vlerë 1.1 miliardë lekë ose 10 milionë euro për një periudhë 4 vjeçare. Në tender morën pjesë tre kompani. Ofertën më të ulët e paraqiti bashkimi i operatorëve “Servizi Italia dhe Sanitary Cleaning” me vlerë rreth 1 miliardë lekë të reja (pa tvsh), pra rreth një milionë euro më pak se sa vlera e tenderit. Kjo ofertë është skualifikuar dhe fitues u shpall sërish firma A.G.S, e cila ofroi 1.1 miliardë lekë, pra rreth 98% e vlerës së tenderit ose e thënë ndryshe, 820 mijë euro më shumë sesa oferta më e ulët.
Por, çuditërisht A.G.S u shpall fituese, ashtu si herën e parë me shumë dyshime.
Procedura shkoi në Komisionin e Prokurimit Publik, i cili më 10 janar 2020 vendosi që skualifikimi i operatorëve që ofruan më pak është bërë në mënyrë të padrejtë. Dhe, me këtë vendim, fituesi duhej të shpallej pikërisht bashkimi i operatorëve “Servizi Italia dhe Sanitary Cleaning”, duke i kursyer në këtë mënyrë taksapaguesve shqiptarë 820 mijë euro.
Tenderat emergjentë për lavanderinë
Në momentin që pritej që të zbatohej vendimi i KPP, QSUT ka qenë e detyruar të bëjë disa tendera për shërbimin e lavanderisë. Sipas Agjencisë së Prokurimit Publik, tenderi i parë është bërë në muajin gusht 2019 me afat 90 ditë. Fondi për këtë tender ka qenë rreth 650 mijë euro. Por ndërkohë procedurat e tenderit kryesor po zvarriteshin.
Tenderi i dytë është bërë në muajin nëntor 2019 me një afat kohor prej 42 ditësh me fond rreth 300 mijë eurosh. Spitali, fitues është shpallur kompania A.G.S!
Në momentin që afati 42 ditë përfundoi, QSUT ka bërë një tender tjetër në datë 24 janar 2020 me vlerë 220 mijë euro. Edhe në këtë rast, fituese është A.G.S!
QSUT thotë se ka qenë e detyruar të bëjë këto tendera, duke mos lënë pa shërbim pacientët. Ndërkohë që tenderin kryesor e ka filluar Agjenia e Blerjeve të Përqendruara në varësi direkte të ministrisë së Brendshme.
Në të gjitha këto procedura, humbësit kryesorë janë pikërisht taksapaguesit, të cilat në vend që të kursenin 820 mijë euro duke shpallur fituese firmat që ofruan më pak, vazhdojnë të paguajnë miliona euro për kontratat shtesë, pasi ABP zvarrit procedurat e shpalljes së fituesit të caktuar tashmë në vendimin e KPP.
Vetëm për 6 muaj, për shkak të këtyre zvarritjeve, kompania A.G.S ka përfituar rreth 1/10 e vlerës së tenderit kryesor. Dhe, nëse procedurat zvarriten në tenderin kryesor, fituese është sërish firma A.G.S, që do të vazhdojë të marrë miliona euro për të larë çarçafët apo uniformat e personelit mjekësor në spitalin më të madh në vend.
Fiks Fare i kërkoi informacion Agjencisë së Prokurimit Publik për të gjithë procedurën e tenderit. Sipas kësaj përgjigje, APP thotë se vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik duhet ta zbatojë Agjencia e Blerjeve të Përqendruara. Sipas saj, veprimi i fundit është në datën 29 janar 2020, ku ka administruar një tjetër vendim për heqjen e pezullimit të procedurës, por deri më tani vendimi i KPP-së nuk është zbatuar. Sipas saj, APP-ja vetëm shpall në sistemin elektronik njoftimet, ndërsa përgjegjësia e shpalljes së fituesit është e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara.
Fiks Fare i dërgoi një kërkesë për informacion Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, duke i kërkuar përse nuk vepron që të lidhë kontratën, në zbatim të vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik. Gjithashtu, u kërkua nëse ka ankesa dhe nëse po, a janë marrë në konsideratë. Deri në momentin e transmetimit të këtij investigimi, kjo agjenci nuk na ktheu përgjigje.
Top Channel