Reforma zgjedhore. Opozita parlamentare , kalimin drejt sistemit zgjedhor me lista të hapura

05/02/2020 14:35

Nimet Musai kryetar i Grupit Parlamentar të Pavarur ka hedhur në tryezën e diskutimit të reformës zgjedhore një propozim të ri se si duhet të jetë sistemi zgjedhor.

Në një deklaratë për mediat ai deklaroi:

“Këtu mund të flas edhe si kryetar i grupit parlamentar,  sigurisht, një grup parlamentar jo tradicional,  mund të flas edhe si deputet i Kuvendit,  mund të flas edhe si anëtar i Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Shpesh jam shprehur nga foltorja e Kuvendit, se ka shumë rëndësi të zgjedhim një formulë që, garanton lexim të rregullt të vullnetit të zgjedhësve  dhe nxit demokratizimin e partive.  E, për këtë formulë, kam qenë në pritje.  Aktorë të ndryshëm politikë, zëra publikë dhe politik,  këto kohë kanë sjellë në tryezën e reformës zgjedhore një propozim të ri:  kalimin drejt një sistemi zgjedhor me lista të hapura. Dua të ndaj me ju, bindjen time se kjo formë, ky kapërcim që i jep zë individit,  që e lidh drejtpërdrejt të zgjedhurin me zgjedhësin,  që e pavarëson të zgjedhurin nga tutelat tradicionale partiake, e kryesisht nga tutelat e deridjeshme të drejtimit të dalë kohë të partive politike,  më duket e pëlqyeshme,  e si e tillë vlen të bëhet pjesë e analizës dhe diskutimit,  sa politik, aq edhe teknik, këtu në Kuvendin e Shqipërisë.

Nisur nga këto premisa, që të shkohet drejt një sistemi që e fuqizon zgjedhësin,  që i demokratizon partitë shqiptare, demokratizimi i të cilave na prodhon opozita më konstruktive, si dhe qeveri teorikisht më pak të kapura,  si edhe Kuvend më të lidhur e më llogaridhënës ndaj zgjedhësit, shoh me vend që,  duke marrë këtu shkas edhe nga modeli zgjedhor i Kosovës, listat e hapura të shoqërohen edhe me përjashtimin e koalicioneve parazgjedhore”.

Nimet Musai u ndal edhe në reporter e maxhorancës me komisionin e reformës zgjedhore kur tha:

“ Dua te nënvizoj faktin se mazhoranca ka shprehur vullnetin e saj që për çështje të tjera që mund të mos jenë drejtpërdrejt të përmendura në rekomandimet e ODIHR-it, por që janë shqetësime specifike të artikuluara nga opozita parlamentare dhe jashtë parlamentare për procesin zgjedhor, përfaqësuesit e opozitës parlamentare dhe jashte parlamentare të sjellin propozimet e tyre konkrete.  Mazhoranca thekson gadishmërinë e saj për të shqyrtuar çdo propozim që vjen nga opozita parlamentare dhe jashtë parlamentare në këtë drejtim dhe patjetër, nëse janë në frymën e rekomandimeve të ODIHR—it mund të bëhen pjesë e legjislacionit zgjedhor.

Top Channel