Nimet Musai kryetar i Grupit Parlamentar të Pavarur ka hedhur në tryezën e diskutimit të reformës zgjedhore një propozim të ri se si duhet të jetë sistemi zgjedhor.
Në një deklaratë për mediat ai deklaroi:
“Këtu mund të flas edhe si kryetar i grupit parlamentar, sigurisht, një grup parlamentar jo tradicional, mund të flas edhe si deputet i Kuvendit, mund të flas edhe si anëtar i Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Shpesh jam shprehur nga foltorja e Kuvendit, se ka shumë rëndësi të zgjedhim një formulë që, garanton lexim të rregullt të vullnetit të zgjedhësve dhe nxit demokratizimin e partive. E, për këtë formulë, kam qenë në pritje. Aktorë të ndryshëm politikë, zëra publikë dhe politik, këto kohë kanë sjellë në tryezën e reformës zgjedhore një propozim të ri: kalimin drejt një sistemi zgjedhor me lista të hapura. Dua të ndaj me ju, bindjen time se kjo formë, ky kapërcim që i jep zë individit, që e lidh drejtpërdrejt të zgjedhurin me zgjedhësin, që e pavarëson të zgjedhurin nga tutelat tradicionale partiake, e kryesisht nga tutelat e deridjeshme të drejtimit të dalë kohë të partive politike, më duket e pëlqyeshme, e si e tillë vlen të bëhet pjesë e analizës dhe diskutimit, sa politik, aq edhe teknik, këtu në Kuvendin e Shqipërisë.
Nisur nga këto premisa, që të shkohet drejt një sistemi që e fuqizon zgjedhësin, që i demokratizon partitë shqiptare, demokratizimi i të cilave na prodhon opozita më konstruktive, si dhe qeveri teorikisht më pak të kapura, si edhe Kuvend më të lidhur e më llogaridhënës ndaj zgjedhësit, shoh me vend që, duke marrë këtu shkas edhe nga modeli zgjedhor i Kosovës, listat e hapura të shoqërohen edhe me përjashtimin e koalicioneve parazgjedhore”.
Nimet Musai u ndal edhe në reporter e maxhorancës me komisionin e reformës zgjedhore kur tha:
“ Dua te nënvizoj faktin se mazhoranca ka shprehur vullnetin e saj që për çështje të tjera që mund të mos jenë drejtpërdrejt të përmendura në rekomandimet e ODIHR-it, por që janë shqetësime specifike të artikuluara nga opozita parlamentare dhe jashtë parlamentare për procesin zgjedhor, përfaqësuesit e opozitës parlamentare dhe jashte parlamentare të sjellin propozimet e tyre konkrete. Mazhoranca thekson gadishmërinë e saj për të shqyrtuar çdo propozim që vjen nga opozita parlamentare dhe jashtë parlamentare në këtë drejtim dhe patjetër, nëse janë në frymën e rekomandimeve të ODIHR—it mund të bëhen pjesë e legjislacionit zgjedhor.
Top Channel