Mbyllja e portit të Barit për shkak të motit të keq detyron autoritetet detare të Durrësit te pezullojnë përkohësisht të lundrimeve nga porti më i madh i vendit drejt atij të Barit.

Si pasojë e mbylljes së përkohshme të portit të Barit, dy tragetet e parashikuara për t’u nisur natën e sotme nga porti i Durrësit, pezullojnë përkohësisht lundrimin drejt këtij porti.

Tragetet “Bari” dhe “AF Marina”, të linjës Durrës-Bari, që do të niseshin rreth orës 23:00 të darkës sot, kanë anuluar lundrimin, si pasojë e situatës së motit.

Agjencitë lundrimore kanë bërë njoftimin e të gjithë pasagjerëve për këto ndryshime, deri në një njoftim të dytë për rikthimin në normalitet.

Ndërkohë, trageti i linjës Durrës-Ankona është nisur pa problem drejt destinacionit, sot në orën 17:00, pasi situata në këtë port italian paraqitet më e qetë.

Në këtë situatë, porti i Durrësit ka kërkuar mirëkuptimin e të gjithë udhëtarëve për vonesat e krijuara, duke siguruar se gjithçka është në funksion të sigurisë së tyre të udhëtimit.

Autoritetet detare bëjnë të ditur se tragetet e linjës Durrës – Bari, të cilat janë nisur nga Porti i Durrësit në datën natën e 4 shkurtit nuk janë akostuar ende në brendësi të portit të Barit që është mbyllur për çështje sigurie si pasojë e kushteve atmosferike të pafavorshme. Nga komunikimet e Drejtorisë së Përgjithshme Detare me portin e Barit rezulton se në këtë port mbeten të pezulluara lundrimet.

Ndërkohë edhe në portin e Sarandës tragetet e linjës Sarandë-Korfuz nuk janë lejuar që të operojnë për shkak të kushteve atmosferike.

Gjithashtu moti i keq ka çuar në masa edhe në portin e Vlorës ku për tragetin e linjës Vlorë – Brindisi është pezulluar lundrimi.

Autoritetet bëjnë të ditur se për çdo ndryshim në lidhje me fillimin e operimit tê mjeteve lundruese do të ketë njoftime në vazhdimësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA