Me vajzën në makinë të blinduar, ju bë atentat në Shijak. Kush është Dashamir Gjoka? I dënuar për shfrytëzim prostitucioni

05/02/2020 12:25

Në kuadër të operacionit Forca e Ligjit, në vijim të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetë deklarimin e burimeve të pasurisë, 3 shtetasve:

Emiljano Hysenaj

Edlir Hysenaj

Dashamir Gjoka.

Këtij të fundit në vitin 2017 i është bërë atentat në vendin e quajtur “Katër Rrugët” në Shijak. Ai ka qenë në makinë sëbashku me vajzën e tij, ku kanë shpëtuar pasi mjeti ka qenë i blinduar.

Njoftimi i Policisë në atë kohë:

Informacioni paraprak i policisë.

“Më datë 23.08.2017, rreth orës 14:05, në vendin e quajtur “4 Rrugët- Shijak” , në afërsi të Komunës Xhafzotaj është marrë njoftim se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit tip Benz , me drejtues shtetasin D.GJ. Nuk ka persona të lënduar. Menjëherë është ngritur grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit.

Në vitin 2015 prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi që ti sekuestronte pasurinë subjektit Dashamir Gjoka.

“Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur sekuestro për 11 mijë m2 truall dhe ndërtime, dhe 15.300 m2 tokë arë, të regjistruar në emër të shtetasit Dashamir Gjoka, nga Shijaku. Sipas dokumenteve të mbërritura në organin e akuzës nga autoritetet italiane, Gjoka është dënuar me 7 vjet e 6 muaj për veprat penale organizatës kriminale dhe shfrytëzim të prostitucionit”.

Teksa në vitin 2017 “Antimafia” konfiskoi pasuritë me vlerë 200 milion të Gjokës.

Në bazë të dokumentacionit të siguruar nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se me vendimin e Gjykatës së Apelit të Milanos, Itali, të datës 02.11.2007, shtetasi Dashamir Gjoka është dënuar me 10 vjet dhe 6 muaj burgim, për vepra penale që nga ligji penal shqiptar parashikohen si veprat penale “shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “trafikimi i personave”, të parashikuara nga nenet 114 dhe 110/a të K.Penal, duke qenë në këtë mënyrë subjekt i masave parandaluese pasurore të ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, pra ligjit “Antimafia”.

Të sekuestruara janë kompleksi Gjoka në Durrës, një arë me sipërfaqe 4639 m2, truall me sipërfaqe 1247 m2 dhe 230 m2. Gjithashtu dhe një ndërtesë me sipërfaqe 710 m2.

Një tjetër sipërfaqe trualli prej 928 m2 dhe ndërtesë dy kate me sipërfaqe 229 m2 janë konfiskuar, si dhe shoqëria “Gjoka” sh.p.k me gjithë asetet e saj.

Gjatë procesit gjyqësor rezultoi se pasuritë në zotërim të Dashamir Gjokës nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme të deklaruara prej tij, dhe se personi i mësipërm nuk arriti që të provojë dhe të justifikojë burimin e ligjshëm të pasurive në zotërim të tij.

Njoftimi i OFL-së ditën e sotme

5 shkurt, OFL

Në kuadër të operacionit Forca e Ligjit, në vijim të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL sapo i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

–              Dashamir.  Gj., me banim në Durrës, pasi rezulton i dënuar në Itali për veprën penale “Trafik i qenieve njerëzore”.

–              Emiljano H., me banim në Durrës, pasi rezulton i dënuar në Gjermani për trafikim narkotikësh dhe pastrim parash.

–              Edlir H., banues në Durrës, me lidhje familjare me Emiljano H., pasi dyshohet se gëzon pasuri të prejardhura nga krimi.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili do të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre.

Sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.

Me marrjen e masës së sekuestros, çdo pronë e subjekteve do të administrohet nga agjencia e posaçme e Ministrisë së Brendshme. Vetëm banesa mund të vazhdojë të përdoret për strehim, por nuk mund të shitet apo të jepet me qira nga subjekti.

Të gjitha subjektet e Ligjit Special, pra të gjithë të dënuarit apo të akuzuarit gjatë 30 viteve të fundit, për krimet e parashikuara në këtë ligj, do të kalojnë sitën e provës së ligjshmërisë së pasurisë së tyre. Asnjë përjashtim nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë dhe çdo përpjekje për të tjetërsuar ndërkohë pronën, duke përdorur familjarë apo të njohur, do të rëndojë të dyja palët. Kujtojmë se Ligji Special parashikon vlerësime dhe hetime specifike të pasurisë edhe për rrethin familjar të personave të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar e krime të rënda.

Për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë, OFL do të informojë publikun në vijimësi.

/A.Pali/

Top Channel