Koronavirusi/ Hong Kongu do t’i dërgojë në karantinë vizitorët nga pjesa tjetër e Kinës

05/02/2020 22:06

Hong Kongu do t’i dërgojë në karantinë të detyrueshme për 14 ditë të gjithë vizitorët nga pjesa tjetër e territorit të Kinës, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e një koronavirusi.

Kjo praktikë do të hyjë në fuqi të shtunën. Zyrtarët kanë refuzuar të mbyllin kufirin plotësisht, ashtu siç ka kërkuar personeli mjekësor, i cili ka hyrë në grevë.

“Kushdo që arrin nga pjesa tjetër e territorit, përfshirë edhe të huajt, do të dërgohet në karantinë për 14 ditë, nga e shtuna”, tha shefja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, duke mos dhënë detaje të tjera.

Hong Kongu ka 21 raste të konfirmuara me koronavirus dhe një viktimë. Në Hong Kong janë regjistruar 300 të vdekur nga shpërthimi i virusit Sars më 2002-2003. Në gjithë Kinën aktualisht janë 24,300 raste të konfirmuara me koronavirusin e ri, ndërsa numri i të vdekurve ka arritur në 490. Koronavirusi i ri është përhapur edhe jashtë Kinës, në së paku 25 vende.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur shpërthimin e tij emergjencë globale shëndetësore. Të mërkurën, shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, apeloi për 675 milionë dollarë fonde, për planin tremujor të veprimit.

Koronavirusi në Kinë, që është një familje e virueseve, është identifikuar si 2019-nCOV. Ai shkakton ethe, kollitje, gulçimë dhe vështirësi në frymëmarrje. Në raste më të rënda, mund të çojë në pneumoni, dështim të veshkave e madje edhe vdekje. Ai besohet se ka dalë nga një treg i frutave të detit në provincën Hubei të Kinës. Tash për tash nuk ka as kurë, as vaksinë për të./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA