Problemet teknologjike e kanë zhytur në kaos shpalljen e rezultatit të votave në Iowa, ku u zhvillua raundi i parë i garës për zgjedhjen e kandidatit demokrat që do të sfidojë Donald Trumpin në betejën për Shtëpinë e Bardhë.
Pjesëmarrja, ashtu siç pritej, ishte e lartë. Por ndërkohë, edhe pse rezultatet janë bllokuar, një sërë kandidatësh pretendojnë fitoren. Bernie Sanders tha se I ka fituar ai parapraket e Iowa-s, duke cituar të dhëna të brendshme që sipas senatorit të Vermontit, e vendosin atë përpara rivalit Pete Buttigieg. Vetë Buttigieg, ish kryebashkiak i qytetit South Bend në Indiana, thotë se triumfi është në krahun e tij. Për vonesat që kanë shkaktuar këtë pështjellim po fajësohet aplikacioni i krijuar posaçërisht për organizatorët e zgjedhjeve paraprake që të raportonin rezultatet e tyre, e që duket se nuk ka funksionuar.
Një pjesë e kandidatëve në garë si Sanders, Amy Klobuchar, Elizabeth Warren e Michael Bennet janë njëkohësisht dhe senatorë, e për këtë arsye janë detyruar të sakrifikonin kohë nga fushata në terren në Iowa, pasi u duhej të merrnin pjesë në seancat e gjyqit për shkarkimin e Trumpit në Uashington. Ata u kthyen në këtë shtet gjatë fundjavës. Ndërkohë, vendasit thonë se u pëlqen t’i shohin nga afër kandidatët, t`i njohin personalisht. Njerëzit atje nuk vendosin t`ia japin votën një kandidati të caktuar po e nuk e panë nga afër angazhimin e tyre për ta. Vëmendja pas Iowas spostohet në Nju Hampshër, ku pas një jave do të mbahet votimi I radhës brenda partisë.
Top Channel