Polici Eugen Abdurrazaku, i cili mbeti i plagosur, së bashku me 4 të tjerë, gjatë aksidentit që përfshiu tre makina në hyrje të qytetit të Elbasanit është dërguar për mjekim në Spitalin Ushtarak.

Top Channel mundëson pamje ekskluzive të pranisë së forcave policore në spital, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore Abdurrazaku. Mësohet se policia kish’ qenë në ndjekje të njërës prej makinave me targa të huaja.

Aldiron Shehu, 27 vjeç, një person me precedentë penalë, ka qenë duke udhëtuar me targa greke fallso nga Korça. Policia i ka bërë me shenjë të ndalojë, por ai nuk i është bindur urdhrit dhe ka vazhduar rrugën. Forcat e policisë së Korçës kanë njoftuar menjëherë kolegët e Pogradecit por as atyre Shehu nuk u është bindur duke vazhduar drejt Librazhdit.

Forcat e policisë në Librazhd tentuan gjithashtu ndalimin e tij, por rezultoi një tentativë e dështuar, pasi Shehu vazhdoi rrugën drejt Elbasanit. Në Elbasan, policia i kishte ngritur një postbllok, nga ku merrnin pjesë edhe forcat Shqiponja. As këtu, Shehu nuk ka ndaluar.

Në këto kushte, policia ka qëlluar me armë në ajër, ndërsa Shehu i është kundërpërgjigjur. Në morinë e plumbave, drejtuesi i mjetit ka tentuar të largohet duke goditur makinën e policisë dhe dy mjete të tjera.

Për pasojë janë plagosur: Eugen Abdurrazaku (polic), Albert Cani (instruktori i autoshkollës), Adriana Muka, Diana dhe Durim Plaka (burrë e grua).

Top Channel