Është data 7 Janar, jemi në vitin 1998 në Kërrnajë të Tropojës. Jemi në kullën e familjes së madhe të Muharrem Haklajt, ku janë hapur dyert e mortit.

Djali i tretë e familjes, Shkëlqimi 30-vjeçar, është ekzekutuar në një pritë të mirë organizuar nga persona të armatosur rëndë. Ishte goditur një prej familjeve më të njohura të zonës, paraardhësit e së cilës ishin shquar për mençurinë por edhe angazhimin në luftëra kundër pushtuesve.
Një familje, e respektuar dhe mbrojtëse e fortë e traditës dhe parimeve zakonore. Ky krim, ishte prognozë e një tragjedie të madhe që do prekte Tropojën.

Qindra banorë të zonës, kanë mbërritur në kullën shekullore të Haklajve për ta përcjellë me nderime Shkëlqimin. Aq të shumtë ishin njerëzit, sa homazhet zgjatën për dy ditë me radhë. Ishte e rrallë që zhvillimi i një ceremonie mortore të mbahej të pasnesërmen e vdekjes.
Ne, po japim të censuruara këto pamje të rënda të trupit të pajetë të Shkëlqimit që dergjet në arkivol. Njëri pas tjetrit, të afërm, miq, por edhe banorë të shumtë nga malësia e Gjakovës përulen para trupit të pajetë të Shkëlqimit.

Zymtësia dhe i ftohti i kësaj dite, po paralajmërojnë atë që do ndodhte muajt dhe vitet në vijim.

Sot, e 15 vite, këto rrënoja që shihni, janë dëshmi e prekshme e një tragjedie të madhe, që la pas Shkëlqimi. Dikur, aty ngrihej kulla tradicionale dhe shekullore e familjes së Muharrem Haklajt, babait të 5 djemve dhe dy vajzave. Sot, aty janë veç gërmadhat dhe kujtimet.

Top Channel