Policia ka arrestuar njërin nga autorët e tentativës së grabitjes së çiftit Laze mbrëmjen e 19 janarit në Allias.
Top Channel mëson se i arrestuari në kuadër të operacionit të koduar “Mjegulla” është Fation Mërtënika 28 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për drogë, si dhe është shpallur në kërkim Markeljan Cungu një person po ashtu me precedent të theksuar kriminal në fushën e drogës dhe grabitjeve.
Cungu 23-vjeç, banor i zonës së Alliasit dhe emër i njohur për drejtësinë për shumë mbi 500 vjedhje, të dy me precedent të mëparshëm penal edhe në fushën e narkotikëve. Cungu, fqinj i çiftit e njihte mirë zonën, kishte studiuar hyrjen në banesë dhe lëvizjet dhe së bashku me 28-vjeçarin tentuan grabitjen, por hasën në rezistencën e çiftit.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur të gjejnë të fshehura rreth një kilometër larg banesës që tentuan të vidhnin, dy armët e zjarrit, konkretisht një kallashnikov dhe një pistoletë, që dyshohet se i kanë përdorur autorët mbrëmjen e datës 19 janar 2020.
Njoftimi
Zbardhet ngjarja e ndodhur në Allias, Tiranë.
Arrestohet njëri nga autorët e ngjarjes, si dhe shpallet në kërkim autori tjetër, të dy me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve dhe të vjedhjes.
Grupi hetimor ka siguruar prova shkencore për autorësinë e kësaj ngjarjeje.
Gjenden dhe sekuestrohen edhe dy armët e dyshuara të përdorura gjatë tentativës për grabitje, municion luftarak, maskë e sende të tjera.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 19.01.2020, rreth orës 21:35, në rrugën “Njazi Meka” Allias, në banesën e shtetasit P. L., ku dy shtetas të maskuar tentuan të vidhnin me armë sende me vlerë dhe për pasojë mbetën të plagosur rëndë të zotët e banesës, çifti P. L. dhe A. L., Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ngriti një grup të posaçëm për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i vlerësimit maksimal të kësaj ngjarjeje, punës profesionale operative dhe hetimore, si dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur sigurimi i informacioneve dhe provave, të cilat çuan në zbardhjen dhe dokumentimin me prova shkencore të kësaj ngjarjeje.
Bazuar mbi provat e siguruara, Sektori për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Komisariatin e Policisë Nr. 4, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, bëri të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor “Mjegulla”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit:
F. M., 28 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit M. C., si bashkautor në këtë ngjarje, person me precedent kriminal, i dënuar më parë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur të gjejnë të fshehura rreth një kilometër larg banesës që tentuan të vidhnin, dy armët e zjarrit, konkretisht një kallashnikov dhe një pistoletë, që dyshohet se i kanë përdorur autorët mbrëmjen e datës 19 janar 2020.
Gjithashtu, së bashku me armët e zjarrit, Policia gjeti të fshehura një maskë, municion luftarak, fasheta plastike e sende të tjera.
Vijon puna për kapjen e bashkautorit, i cili gjatë operacionit nuk është gjetur në banesë.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Vjedhja me armë, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”, me pasoje plagosjen e rendë të dy shtetasve dhe “Armëmbajtja pa leje”, të cilat parashikojnë dënimin deri në 15 vite burgim.
Top Channel