Qeveria i ka dërguar parlamentit një projekt ligj për të huajt, përmes të cilit do të zbatohet një prej vendimeve në kuadër të Shengenit Ballkanik marrë në samitin e Ohrit.
Këshilli i Ministrave, ka propozuar që të përjashtohen nga detyrimi për pajisje me leje pune dhe certifikatë regjistrimi pune për shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ata nga Bosnjë-Herecegovinës, Malit të Zi, Kosova, Serbia dhe Maqedonisë së Veriut.
Në relacionin dërguar parlamentit qeveria kërkon edhe lehtësim për punësimin e të huajve që do të përfshihen në procesin e rindërtimit pas tërmetit.
“Punësimi i shtetasve të huaj në sektorë të ndryshëm, me qëllim rregullimin e pasojave dhe rimëkëmbjen nga fatkeqësia natyrore, të përjashtohet nga detyrimi për pajisje me leje pune dhe certifikatë regjistrimi në punë. Ky propozim vjen pasi, bazuar në një analizë paraprake të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019 dhe fuqisë punëtore në vend, konsiderohet se ka pamjaftueshmëri të fuqisë punëtore për të mundësuar rimëkëmbjen nga fatkeqësia natyrore brenda një periudhe kohore të arsyeshme”.
Përmes këtij projektligji që nisi të diskutohet në komisionin parlamentar të ligjeve, parashikohet edhe nisja e lëshimit të vizave elektronike on-line. Kjo lidhur me pamundësinë për të mbuluar shumë vende me misione diplomatike apo poste konsullore, që do të lëshonin vizë hyrëse në territorin e Republikës së Shqipërisë për të huajt që duan të vizitojnë vendin tonë.
Top Channel