Shpërthimi i koronavirusit vdekjeprurës që është përhapur nga Kina, nuk përbën ende një pandemi – thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Një pandemi, është përhapja në të gjithë botën e një sëmundjeje të re, sipas OBSH. Silvi Briand, nga OBSH tha se përhapja e virusit është e shpejtë por situata aktuale nuk përbën një pandemi. Ajo edhe lëvdoi autoritetet kineze për mënyrën se si kishin reaguar ndaj shpërthimit të virusit, duke nënvizuar shpresën se bota mund të shpëtonte së shpejti prej tij.

Të paktën 427 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 20 mijë raste janë konfirmuar në botë, pjesa më e madhe e tyre në kinë.

Ndërkohë, janë 25 vendet e botës që kanë raportuar raste deri më tani dhe asnjë infektim nuk është konfirmuar në Afrikë apo Amerikën Latine.

Të martën, tre vende të tjera aziatike, Singapori, Malajzia dhe Tajlanda, konfirmuan raste mes qytetarëve që nuk kishin udhëtuar drejt Kinës. Zyrtarët thonë se 425 vetë kanë humbur jetën në kinë dhe një në Hong Kong. Një viktimë tjetër është konfirmuar së fundmi edhe në Filipine.

Tajvani tha të premten se do të mohonte hyrjen e të gjithë të huajve që kanë qenë në kinë 14 ditët e shkuara ndërsa Makau, një rajon i veçantë administrativë në kinë, njoftoi se do të mbyllte përkohësisht të gjitha kazinotë e tij. Qeveria britanike i ka kërkuar të gjithë shtetasve të saj në kinë të largohen sa më shpejt nga vendi nëse munden. Të tjera vende vazhdojnë të evakuojnë qytetarët e tyre nga zonat e prekura në kinë. Ndërkohë në Japoni, zyrtarët po ekzaminojnë 3700 persona në bordin e një anijeje krocerë, pasi një pasagjer rezultoi pozitiv me virusin.

Lidershipi kinez ndërkohë ka pranuar mangësitë dhe problemet në reagimet e vendit ndaj shpërthimit që besohet se e ka origjinën në Wuhan. Pohimi i rrallë, erdhi nga byroja politike që kërkoi edhe përmirësimin e sistemit të menaxhimit të emergjencave në kinë dhe urdhëroi një raprezalje të ashpër ndaj tregjeve të paligjshme të kafshëve dhe peshkut, ku edhe mendohet se virusi është shfaqur.

Top Channel