Ndonëse shumë vende janë alarmuar për shkak të koronavirusit, mjekët tanë infeksionistë u bëjnë apel qytetarëve të ruhen më shumë nga gripi se sa nga virusi i ri.

Shqipëria po i afrohet pragut të epidemisë së gripit, pasi edhe sipas Institutit të Shëndetit Publik ka një rritje të shpejtë të rasteve të prekura nga viruset e gripit. Në fakt kjo rezulton edhe në kopshte, çerdhe, ku numri i fëmijëve dhe nxënësve që i frekuentojnë është përgjysmuar për shkak se janë prekur nga gripi dhe viroza të shumta që qarkullojnë.
Por, siç duket edhe në grafikun e Buletinit të ISHP e cila i referohet javës të katërt të janarit, pra 20 deri në 26 janar, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i të prekurve është rritur me 4%, pra pothuajse 700 raste më shumë.

Ndërkohë që jemi në javën e parë të shkurtit dhe numri i të prekurve është edhe më i lartë por pragu i epidemisë njoftohet vetëm nga ISHP. Ajo që vihet re në këtë javë është shtimi I rasteve të rënda si tek fëmijët e vegjël ashtu edhe tek të rriturit. Kjo duhet të jetë një këmbanë alarmi për Ministrinë e Shëndetësisë në mënyrë që të marrë masat dhe në urgjencën e pediatrisë të ofrojnë shërbim vetëm dy mjekë duke lënë fëmijë të vegjël të menaxhojnë temperaturë 39 gradë në oborr të spitalit për shkak të radhëve të gjata që krijohen./Alma Demiraj/

Top Channel