Bashkia e Tiranës ka paditur në polici kreun e Partisë Demokratike, Lulëzim Bashën për dhunë ndaj recepsionistes në godinën numër katër në qytetin studenti.

Pasditen e sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, së bashku me 4 shoqërues të tij, jo studentë, të pajisur me kamera për show-n e radhës, ka hyrë me dhunë në mjediset e brendshme të Godinës Nr. 4 në Qytetin Studenti.

Bashkia e Tiranës dënon dhunën e ushtruar ndaj recepsionistes së Godinës nr. 4 në Qytetin Studenti nga qytetari Basha dhe tabori i tij i figurantëve, që prej disa ditësh kanë nisur të xhirojnë klipe nëpër Tiranë, si këngëtarë tallavaje, dhe dëshiron të informojë qytetarët se ka nisur menjëherë procedurat për denoncimin e tij para organeve ligjzbatuese si dhunues.

Bashkia e Tiranës sqaron se në mjediset e godinave të Qytetit Studenti mund të hyhet vetëm duke marrë një leje paraprake pranë Drejtorisë së Konvikteve, procedurë e cila ndiqet rigorozisht edhe nga familjarët e studentëve që banojnë në ato godina. Lulzim Basha nuk ka kërkuar dhe nuk ka marrë leje për të hyrë në Godinën nr.4.

Ndërkaq, Godina nr.4 është një nga ndërtesat e cila do të rikonstruktohet sipas projektit të kancelares gjermane Angela Merkel, i cili po zbatohet nga KFW-ja. Kjo e fundit ka ndihmuar edhe në rikonstruksionin e godinave të studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë, tashmë të përfunduara, e ndërkohë po vijon punën për rikonstruksionin e 4 godinave të tjera në Qytetin Studenti. Në total, Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar 22 konvikte për studentët që studiojnë në Tiranë.

Nisur nga kjo, duam t’i drejtojmë disa pyetje aktorit Lulzim Basha: Sa konvikte keni rikonstruktuar apo ndërtuar, në 4 vjet si kryetar i Bashkisë së Tiranës? Sa shkolla keni rikonstruktuar apo ndërtuar, në 4 vjet si kryetar i Bashkisë së Tiranës? Sa karta studenti keni dhënë për studentët e Tiranës, në 4 vjet si kryetar i Bashkisë?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë: Zero! Zero! Zero! Sepse Lulzim Basha jo vetëm që nuk ndërtoi e as rikonstruktoi ndonjë konvikt për studentët, por sot drejton partinë që zaptoi 3 konvikte për 30 vjet.

Lulzim Basha, në sytë e qytetarëve të Tiranës si ish kryetar i Bashkisë është një zero, i cili nuk do të bëhet kurrë Kryeministër me një CV të mbushur me zero në çdo punë të dhuruar nga partia, që po e shkatërron përditë. CV-në e mbushur me zero nuk do mund t’ia pastrojnë as videot e xhiruara nëpër Tiranë me figurantë të marrë borxh nga Forumi Rinor i PD-së.

Top Channel