Tregu i aksioneve në Shangai u çel me një humbje drastike prej gati 8% në ditën e parë të shkëmbimeve pas zgjatjes së pushimeve të vitit të ri hënor.
Edhe çmimi i naftës ka pësuar rënie, duke mbërritur në $56.11 dollarë për fuçi, çka reflekton kështu shqetësimet në rritje që po rrethojnë ngadalësimin e kërkesës në ekonominë globale. Rënia e ndjeshme e aksioneve kineze ka pushtuar titujt e lajmeve në mbarë botën.
I vetmi që po reziston është tregu i Hong Kong-ut, e pikërisht aty ekonomia kineze pritet të marrë sërish hov kur situata me virusin të jetë vënë krejtësisht nën kontroll. Në Hong Kong sakaq, me qindra mjekë e infermierë kanë hyrë në grevë me kërkesën që kufiri i territorit me Kinën kontinentale të mbyllet plotësisht, si mënyrë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. Autoritetet vendore refuzojnë me pretendimin se një mbyllje e tillë bie ndesh me këshillat e OBSH-së.
Bilanci i vdekjeve nga koronavirusi tashmë ka mbërritur në 361 në Kinë dhe një në Filipine. Rastet e infektuara brenda vendit të origjinës së sëmundjes janë 17,238, ndërsa jashtë Kinës ka mbi 150 persona të prekur. Mësohet se 36 vetë në fluturimet franceze të evakuimit kanë shfaqur simptoma të virusi: 20 prej tyre janë francezë 16 janë shtetas të ndryshëm të huaj. Pas Zelandës së re, së fundi edhe Malvidet ia kanë ndaluar plotësisht hyrjen në vend udhëtarëve nga Kina.
Top Channel