I riu i qëlluar për vdekje nga policia pasi goditi me thikë dy kalimtarë në rrugët e Londrës, kishte vetëm pak ditë që kishte dalë nga burgu.
Autoritetet britanike thonë se Sudesh Amman, sulmi i të cilit në rrugën Streatham ka lënë një person në gjendje kritike për jetën, ishte “i joshur” nga ideja për të vdekur në emër të terrorizmit. Ai ishte liruar pasi kishte kryer gjysmën e dënimit prej më shumë se tre vjetësh për zotërim dhe shpërndarje të materialeve ekstremiste.
Edhe pse nuk kishte fuqinë ta mbante më gjatë në qeli, policia dyshonte për sjelljen e tij dhe e kishte nën mbikqyrje. Kjo ka bërë të mundur që efektivët të vepronin shpejt dhe sulmi i tij të mos kishte përmasa edhe më tragjike. Menjëherë pas episodit, autoritetet e cilësuan atë si incident të lidhur me terrorizmin.
“Një person është qëlluar nga oficerë të armatosur në Streatham në jug të Londrës. Në këtë fazë besohet se një numër njerëzish janë goditur me thikë. Rrethanat po vlerësohen ende dhe incidenti është shpallur si i lidhur me terrorizmin”, thuhej në një postim në Twitter të policisë në momentet e para pas sulmit. Policia e rrethoi shpejt zonën dhe I urdhëroi banorët e Londrës të qëndronin larg.
Top Channel