Nis “mbretërimi” i Djokovicit, ja kur mund të thyhet rekordi i Federerit

03/02/2020 22:42

Novak Djokovic u rikthye për herë të pestë në fron dhe ditën e hënë 32-vjeçari nga Serbia filloi mbretërimin për javën e 276 në krye të tenistit botëror, duke zëvendësuar në këtë mënyrë spanjollin Rafael Nadal.

Rafa bëri rokadën në klasifikimin e përgjithshëm ATP më datë 4 nëntor, megjithatë mbretërimi i tij këtë herë zgjati vetëm tre muaj, pasi në “Melbourne Park”, 33-vjeçari nga Mallorca u eliminua që në fazën çerekfinale nga Dominic Thiem.

Ndryshe nga tenisti iberik, Nole ia doli mbanë për të mbrojtur titullin si dhe kuotën e 2000 pikëve, për t’u ngjitur në plot 9.720, pra 325 pikë më tepër sesa tenisti spanjoll. Novak Djokovic tashmë ka një bilanc perfekt në vitin 2020 me 13 fitore në 13 ndeshjet e zhvilluara, natyrisht duke përfshirë edhe takimet në ATP Cup, ndërkaq trofeu i 8-të në Australian Open e ngjiti numrin 1 të botës në kuotën 17 të titujve Slam të fituar në karrierë, vetëm 2 më pak se sa Rafa dhe 3 larg vendit të parë, që vazhdon të mbahet nga veterani zviceran Roger Federer.

Trofeu i 5-të Slam në 7 turnetë e fundit të kësaj kategorie në mënyrë të kuptueshme e katapultoi tenistin serb drejt e në fronin e këtij sporti dhe interesant është fakti që Nole e ka mbajtur statusin e numrit 1 në rruzull në 9 nga 10 sezonet e fundit, e përjashtim bën vetëm viti 2017. Novak Djokovic është tenisti më i ri në moshë, krahasuar me rivalët kryesorë, një treshe që ka pushtuar prej kohësh podiumin e këtij sporti.

Objektivi mbetet kalimi i 38-vjeçarit helvet, që mban rekordin me plot 310 javë në krye të renditjes botërore, sidoqoftë, nëse Nole ruan të njëjtën ecuri, atëherë Djokovic mund ta lërë prapa Federerin që më datën 5 tetor të këtij viti.

Që nga koha kur ky sport filloi të funksiononte me këtë formulë, pra me mënyrën aktuale të pikëzimit, janë plot 26 tenistët që kanë prekur sadopak fronin e këtij sporti në pothuajse gjysmë shekulli, më saktë që nga viti i largët 1973. Nëse Roger Dederer vazhdon të kryesojë i shkëputur në këtë lloj klasifikimi të veçantë, në fund ka edhe emra si australiani Patrick Rafter, që e ka mbajtur numrin 1 të botës për thjesht një javë, ndërsa trajneri aktual i spanjollit, Rafael Nadal, Carlos Moya, ka qëndruar në fron për vetëm dy javë.

Nole ia doli për të lënë prapa që në shtatorin e kaluar dy emra të mëdhenj të tenisit botëror, amerikanin Jimmy Connors me 268 javë dhe tenistin që ka përfaqësuar si Çekosllovakinë ashtu edhe Shtetet e Bashkuara, Ivan Lendl, me 270 javë. Në muajin prill, Novak mund të ngjitet në vendin e dytë në këtë lloj klasifikimi, duke kaluar gjithashtu edhe tenistin amerikan, Pete Sampras, me 286 javë, ndërkaq Rafa në këtë lloj renditjeje të veçantë pozicionohet vetëm në vendin e gjashtë, me 209 javë gjithsej.

Për herë të parë në fron Djokovic u ngjit më 4 korrik të vitit 2011, në moshën 24-vjeçare, menjëherë pas triumfit në Wimbledon, ndërsa mbretërimi i tij i fundit zgjati plot 52 javë rresht, nga 5 nëntori i vitit 2018 deri më datën 3 nëntor të të vitit 2019. Bashkë me Nolen janë plot 10 tenistët që ia dolën të përmirësonin renditjen e tyre, pas edicionit të fundit të Australian Open, nga 20-shja më e mirë e botës. Kështu, me finalen e siguruar në “Melbourne Park” Dominic Thiem u ngjit në vendin e katërt, duke kaluar rusin Daniil Medvedev, ndërkaq fituan nga një pozicion tenistët Gael Monfils dhe David Goffin, që mbyllin dhjetëshen e parë në rruzull, ndërsa Fabio Fognini fitoi gjithashtu një vend, por, gjithsesi, tenisti italian klasifikohet në vendin e 11-të, 155 pikë larg dhjetëshes së parë të botës.

Nick Kyrgios fitoi 6 pozicione dhe tani renditet në vendin e 20, gjithsesi në 100 e parë të klasifikimit të përgjithshëm përmirësimin më të madh e pati sportisti amerikan, 28-vjeçari nga Tennessee, Tenys Sandgren, që në Melbourne u eliminua nga Roger Federer, pasi shpërdoroi plot 7 mundësi për të fituar takimin, duke u katapultuar me 44 pozicione, nga vendi i 100 në të 56, por gjithashtu edhe hungarezi Marton Fucsovics, që në Australian Open u eliminua edhe ky nga veterani zviceran por në fazën e 1/8, që kërceu me plot 14 pozicione, nga vendi i 67 në të 53.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA