Real Madridi po planifikon të ofrojë 250 milionë stërlina për sulmuesin e Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe. Kështu raportojnë mediet spanjolle, që e lidhin ofertën e mundshme të “Los Blancos” me përplasjen mes “yllit” francez dhe trajnerit të parizienëve, Thomas Tuchel, pas zëvendësimit të 21-vjeçarit gjatë fitores 5-0 ndaj Montpellier të shtunën, në Ligue 1.
Marrëdhënia mes gjermanit dhe sulmuesit kampion botë është prishur, çka vërtetohet edhe nga debati apo sqarimi që kanë patur në sy të skuadrës dhe drejtorit Leonardo pas ndeshjes. Sipas “El Mundo Deportivos”, Real Madrid po kërkon të provojë vendosmërinë e PSG-së, duke bërë një ofertë “faraonike” për Mbappenë gjatë merkatos së verës s ardhshme.
Mbappe shënoi golin e katërt në fitoren ndaj Montpellier, i 14-ti në këtë sezon në 16 ndeshje të kampionatit. Sidoqoftë, francezi ndjeu zhgënjimin e tij ndaj Tuchel ndërsa u zëvendësua pas 68 minutave.
“Unë jam trajneri. Dikush duhet të vendosë se kush del apo kush futet në fushë dhe ai jam unë. Mbappe është shumë inteligjent, ai e di se çfarë po bën. Atij nuk i pëlqen të zëvendësohet. Këto nuk janë imazhe të mira, por ne nuk jemi klubi i vetëm që duhet të merremi me këtë lloj gjëje,” – deklaroi Thuchel për rastin në fjalë.
Sulmuesi ka nxitur spekulime për një transferim në Madrid duke i dhënë “like”një postimi në Instagram në llogarinë e Karim Benzemasë, i cili shfaqej duke festuar fitoren ndaj Atletico Madridit.
Gjigantët e La Ligës po kërkojnë një pasardhës të mundshëm afatgjatë të Benzemasë. Mbappe i plotëson të gjitha kriteret për t’u bërë nënshkrimi i radhës “galaktik” në “Santiago Bernabeu”.
Top Channel