Shërbimet e urgjencës “Emergency Response Albania” ishin ndër të parët që ndihmuan në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, si në Tiranë e Thumanë, duke dhënë një kontribut të vlefshëm për kapërcimin e situatës.
Në shenjë vlerësimi për punën e kryer, Bashkia e Tiranës dhe Ambasada e Zvicrës nderuan me certifikata mirënjohje vajzat dhe djemtë që në këto ditë fatkeqësie u gjendën pranë komunitetit.
“Ju jam shumë mirënjohës dhe mezi pres që ta promovojmë shembullin tuaj. Dua që kjo shoqëri t’i japë më shumë hapësirë heronjve të vërtetë edhe në ditët pa emergjenca, që ndoshta nuk janë gjithmonë nëpër podiume e skena, por që meritojnë gjithë dashurinë, lutjet dhe respektin tonë! Shumë faleminderit edhe shumë suksese”.
Kryebashkiaku shtoi se këto ngjarje duhet të shërbejnë për të kuptuar dhe vlerësuar më mirë ata që punojnë nën uniformë. Ai u shpreh se falë projektit të qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës do të vijojë puna për rindërtimin, duke përfshirë dhe lagjet e reja.
“Kemi identifikuar një tokë këtu në Pezë, po ashtu një tjetër terren në Ndroq, janë toka publike ose që duan pak shpronësim, që kanë nevojë për një sistemim nga bashkia për ujë, kanalizime dhe energji elektrike. Për zona shumë të largëta Kërçukja në Ndroq apo Gjysulkonja, ku ka pak familje e ku fëmijët ndjekin shkolla kolektive, nuk do të ribëjmë shtëpitë aty, por do t’i sjellim më afër shërbimeve. Por, ata mund të vazhdojnë ta mbajnë tokën e tyre, ullinjtë, bagëtinë”.
Top Channel