Britania u largua Bashkimi Europian të premten, duke bërë të ngrihen kështu veç te tjerash edhe pyetje mbi marrëdhëniet e saj të ardhshme tregtare, përçarjet e thella që ka shkaktuar mes shtetasve të vet, e së fundi, edhe monedhën e re që ka krijuar.
Bëhet fjalë për monedhën 50 pens, e cila është prodhuar posacërisht për të shënuar Brexitin. 10 milionë të tilla do të hyjnë në qarkullim në Mbretërinë e Bashkuar duke nisur nga 31 janari. Tabloidet konservatore e mbështetën prodhimin e saj, por një pjesë e kritikëve, nisën një sfidë në rrjetet sociale e u kërkuan dhe të tjerëve ta ndjekin iniciativën e tyre për të shënuar mbi monedhat që përjetësojnë shkëputjen e Anglisë nga blloku europian, shprehjen: ”Unë e dua BE-në!”
Monedha ka të stampuar datën 31 janar 2020, dhe mban mbishkrimin “ Paqe, begati e miqësi me të gjithë kombet”. Prerjet e reja që kremtojnë ditën historike janë prodhuar në Royal Mint, në South Wales. Kryeministri britanik Boris Johnson do të jetë një nga personat e parë që do ta marrë në dorë monedhën e Brexitit kur të zhvillojë një mbledhje kabineti posaçërisht për të në datën 31 janar.
Kjo është hera e tretë që bëhet gati hedhja e saj në qarkullim, pasi autoritetet u përgatitën edhe në dy raste të mëparshme të bënin të njëjtën gjë, por u detyruan ta vonojnë eventin për shkak të shtyrjes së datës së Brexit-it.
Top Channel