Tre vjet pasi britanikët përmes referendumit vendosën të divorcohen nga Bashkimi Evropian, pyetja që lind është çfarë do ndodh më pas? A ka mbaruar këtu procesi dhe si do jetë marrëdhënia më pas mes ishullit dhe kontinentit dhe banorëve të tyre? Nga Londra njofton Arben Manaj.
31 janari shënoi fundin e fazës së parë të procesit të Brexit. Nga sot e tutje, për 11 muajt e ardhshme deri më 31 dhjetor, Londra dhe Brukseli do përplasin kokën me njëri-tjetrin për të arritur një marrëveshje tregtare, ku secila palë do tentojë që ajo të jetë sa më e favorshme për njëra-tjetrën.
(Kjo periudhë 11 mujore ose e tranzicionit e cila edhe mund të zgjatet më tej, pritet të jetë e vështirë, por ndërkohë në thelb marrëdhënia që ka ekzistuar deri më tani mbetet e njëjtë.)
Britanikët dhe evropianët do vazhdojnë të qarkullojnë pa viza deri në fund të 2020, patentat e makinave do të jenë të vlefshme si deri më sot. E njëjta gjë vlen edhe për kartën e sigurimit shëndetësor në spitalet respektive, ndërkohë që edhe tarifat e telefonisë celulare dhe roaming nuk do ndryshojnë për 11 muajt e ardhshëm, ku britanikët dhe evropianët do përdorin celularët dhe bëjnë thirrje telefonike me kontinentin dhe anasjelltas, pa pagesa shtesë.
E njëjta gjë vlen edhe për të drejtën e punës dhe qëndrimit. Por këto do mund të ndryshojnë për mirë ose për keq, në vartësi se çfarë marrëveshjesh do arrijnë negociatorët britanik dhe ata evropianë, gjatë 11 muajve mjaft të vështirë të bisedimeve për formën e marrëdhënies së ardhshme mes ishullit dhe kontinentit.
Deri më 31 dhjetor të këtij viti, si britanikët ashtu dhe shtetasit e Bashkimit Evropian do mund të aplikojnë të qëndrojnë dhe jetojnë si në Evropë dhe në Britani, nëse do të duan, pas skadimit të periudhës së tranzicionit.
Janë rreth 3 milionë evropiane që kanë aplikuar për të qëndruar dhe jetuar në Britani edhe pas Brexit, mes tyre, disa dhjetëra mijëra shqiptarë që kanë pashaporta të Shteteve të Bashkimit Evropian kryesisht greke dhe italiane, që kanë ardhur dhe jetojnë e punojnë në Britani.
Ata që kanë aplikuar ndërkohë do vazhdojnë të qëndrojnë për marrjen e statusit të qëndrimit të përhershëm dhe marrjes se shtetësisë britanike.
Kjo e drejtë do vazhdojë të jetë e tillë për këdo që do dëshirojë të jetoj dhe punojë në Britani pas Brexit deri më 31 dhjetor të 2020, të paktën, ose edhe më pas në vartësi se si do shkojnë negociatat mes Londrës dhe Brukselit.
Britania nga 1 shkurti është larguar nga BE-ja , por Brexit ende nuk ka përfunduar.
Top Channel