Tërmeti/ Ambasadorja në Durrës: Ju jeni miqtë e Amerikës, ndaj ndihma jonë erdhi menjëherë pas fatkeqësisë natyrore

31/01/2020 15:24

Ambasadorja e ShBA-së, Yuri Kim shprehu solidaritetin dhe ndihmën e popullit dhe shtetit amerikan me të gjithë të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.

Ajo zgjodhi Durrësin si zonën më të prekur nga tërmeti në këtë takim të parë zyrtar jashtë Tiranës gjatë të cilit ndaloi në degën e Kryqit të Kuq për t’u për t’u njohur me ecurinë e ndihmës dhe procesit të rindërtimit.

“Në vizitën e parë jashtë Tiranës erdha këtu për t’i shprehur solidaritetin tonë popullit të Durrësit pas tërmetit të 26 nëntorit. Miqtë festojnë së bashkuar, por është më e rëndësishme që ata të ndihmojnë njëri-tjetrin kur kanë nevojë. Kam ardhur për të parë jo vetëm dëmet, po dhe përpjekjet që po bëhen për rindërtimin, riparimin e dëmeve. Ju jeni miqtë e Amerikës, ndaj ndihma jonë erdhi menjëherë pas fatkeqësisë natyrore. U preka shumë kur pashë kontributet që ne po japim dhe ne jemi shumë krenarë që në pakot e ndihmave tregohet që kjo është një dhuratë nga populli amerikan. Ushtarakët tanë kanë pasur mundësi të ndihmojnë që në çastet e para. Ne sollëm dhe ekspertë, inxhinierë për vlerësimin e situatës dhe dëmeve…”

Kim i përcolli mesazhet e solidaritetit dhe mbështetjes së popullit amerikan para sheshit ku ndodhej pallati 6-katësh që u shemb gjatë tërmetit të 26 nëntorit e ku humbën jetën 7 persona, anëtarë të dy familjeve.

Top Channel