Një lajm i mirë për botën e librit në Shqipëri. Sapo është bërë publike krijimi i Qëndrës së Librit dhe Leximit.

Drejtore e saj do të jetë Alda Bardhyli, një emër i njohur sidomos për botën e librit. Ekskluzivisht për Top Channel ajo do të na rrëfejë se cilat janë prioritetet.

“Në fokus të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit do të jetë autori shqiptar dhe gjuha shqipe. Në këtë kontekst ne do të përpiqemi të ndërtojmë një sistem të mirëfilltë vlerash në këtë drejtim. Do të përpiqemi të punojmë jo vetëm për të përmirësuar kuadrin ligjor sa i përket librit, por edhe për t’i dhënë një status autorit shqiptar duke përmirësuar raportin e tij me botuesin, të drejtat e autorit, distribucionin”, u shpreh Alda Bardhyli.

Në një kohë jo të mirë për librin, nga platforma bie në sy si qëllim rritja e lexueshmërisë, sidomos nëpërmjet rrjetëzimit edhe me bibliotekat e rretheve, duke i kthyer ato në qendra komunikimi mes librit dhe lexuesit. Por në vëmendje është edhe kujtesa.

Pashë që në platformë një pjesë të rëndësishme e zë kujtesa. Marrëdhënia e letërsisë me kujtesën.

“Një nga shprehjet që unë i jam referuar kur kam hartuar këtë pikë të strategjisë ka qenë që librat e rinj gjithmonë na bëjnë të mos kemi mundësinë të lexojmë librat e vjetër. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do t’i dedikojë punën e saj një autori duke e rikthyer atë në tregun e librit, por edhe duke i bërë librat e tij të jenë dominant në debatin publik në vend. Këtë vit autori që do të zgjedhim do të jetë nga letërsia shqipe e viteve ’40”, shtoi Bardhyli.

Një iniciativë konkrete në platformë është edhe krijimi i urdhrit të përkthyesve. Alda Bardhyli vjen nga një e shkuar si gazetare e kulturës. më pas ajo është ndalur gjatë në fushën e botimeve. Me një përvojë për më shumë se dhjetë vitesh.

“Më shumë se sa një sfidë personale kjo është një sfidë për ta bërë librin prezent në Shqipëri dhe për ta bërë kohën që ne po jetojmë që të flasë përmes librit.”

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit harton programe dhe financon projektet në fushën e librit. Nëpërmjet buxhetit të saj ajo financon projekte që kanë si objekt të veprimtarisë së tyre fushën e librit.

Jetona Koçibelli

 

Top Channel