Kur akrepat e orës të shënojnë mesnatën, mes të premtes dhe të shtunës, Londra dhe BE do të jenë të ndara.

Kur kanë kaluar më shumë se tre vite e gjysmë nga referendumi i 2016, mbërriti ora e Brexitit. Pak do të ndryshojë fillimisht dhe ndarja e vërtetë do të jetësohet vetëm në fund të asaj që njihet si periudha e tranzicionit të butë drejt divorcit, e përcaktuar për më 31 dhjetor 2020.

Londra dhe Brukseli do të ruajnë status quonë, për të paktën 11 muaj, në pritje të negociimit të parametrave të rinj të marrëdhënieve të ardhshme mbi tregtinë dhe fushat e tjera. Por nga mesnata e sotme, BE do të ketë 66 milionë qytetarë më pak dhe për herë të parë në historinë e saj, të shënjuar nga zgjerime të herë-pas-hershme, do të humbasë një copë territor. BE do të mbetet me 446 milionë banorë dhe me një territor të reduktuar me 5.5 për qind. Flamuri britanik do të zhduket nga pallatet e Brukselit, ashtu siç do të ndodhë edhe me flamurin evropian që do të hiqet nga tempujt e fuqisë britanike.

Britania do të kthehet në petkat e një vendi të tretë, siç ishte deri në 1973 dhe do të heqë dorë nga 73 eurodeputetë, një pjesë e të cilëve do të ndahen mes anëtarëve të vjetër të BE ndërsa të tjerë do të mbahen pezull për kandidatët e rinj ballkanikë. Në një video mesazh, që do të publikohet pak para mesnatës, sipas orës sonë, ose orës 23.00 sipas asaj britanike, kryeministri Boris Johnson do ta quajë Brexitin, një agim të ri. Një seri eventesh, mes të cilave marshime, festime, por edhe mesha me qirinj në duar, do të mbahen nga mbështetësit dhe kundërshtarët e Brexitit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA