Ministrja Etilda Gjonaj, ka bërë bashkë trupin diplomatik dhe të gjithë përfaqësuesit e organeve më të larta të drejtësisë në vend, në kuadër të nisjes së vitit të ri për sistemin e drejtësisë.

Nën prezencën e ambasadores amerikane Yuri Kim dhe ambasadorit të BE-së Luigi Soreca, Gjonaj është ndalur gjerësisht te reforma në drejtësi ku nënvizoi se ajo ishte dhe mbetet pasaporta e hapjes së derës drejt BE-së.

Sipas Gjonajt, realizimi i saj dhe drejtësia e re në veprim, janë prova të vendosmërisë për të qenë me meritë anëtarë të denjë të familjes europiane.

“Ne që jemi këtu në këtë sallë, jemi aktorët kyç për ta mundësuar këtë gjë. Jemi bashkëpërgjegjës për këtë ndryshim historik. Është koha të marrim përgjegjësitë tona për të garantuar suksesin e reformës në drejtësi. Qytetarët e këtij vendi shpresojnë që pritshmëritë e tyre për reformën të realizohen. Është përgjegjësia jonë ta kthejmë shpresën e tyre në besim”, tha Gjonaj e cila vlerësoi se numri i të pranishmëve në aktivitet është më i madh se një vit më parë, duke vendosur theksin te ngritja e organeve të reja.

“Institucione të reja tashmë janë ngritur dhe kanë filluar punën. Prokurori i ri Përgjithshëm ka filluar ushtrimin e detyrës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë sapo është zgjedhur, Kuvendi ka zgjedhur anëtaret e reja të Gjykatës Kushtetuese. Janë bërë hapa pozitiv përpara, por që kërkojnë ritme shumë më të mira për të përmbyllur sa më shpejt ciklin e formatimit të institucioneve të reja dhe funksionimin tërësor të tyre. Viti 2020 besoj fort se do të jetë viti i funksionimit të Drejtësisë së Re. Viti që do të shohim të jetësuar arkitekturën e plotë të saj, që do të përmbyll ngritjen e të gjithë institucioneve të saj,viti që do të shohim rezultatet e para të shumë prej tyre”, u shpreh ajo.

Në fjalën e saj, Gjonaj u ndal edhe te pritshmëritë nga procesi i vettingut.

“Ne presim që vetingu përmes një procesi vlerësimi objektiv, të paanshëm dhe me një ritëm shumë më të mirë, të shënojë hapa përpara përgjatë këtij viti, duke eleminuar disa zvarritje çështjesh që mund të krijojnë perceptime të gabuara mbi procesin, duke prioritizuar më mirë subjektet e vetingut dhe ruajtjen e tij  nga çdo lloj ndikimi të paligjshëm në procesin e vendimmarrjes. Presim që institucionet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë të dëshmojnë përgjegjshmëri, rol proaktiv dhe transparencë shumë më të mirë në vendimmarrjen e tyre. Opinioni publik mirëpret një qasje të re në ushtrimin proaktiv të përgjegjësive të tyre, për të mbyllur çdo shteg ku gjyqtarë dhe prokurorë të veçantë të mos e shndërrojnë këtë periudhë tranzitore në mundësi korruptimi apo më keq, në përpjekjen e fundit për të cenuar imazhin e reformës dhe shpresën e qytetarëve te drejtësia e re”, tha Gjonaj.

Ndërkaq, ajo rikonfirmoi edhe njëherë të gjithë mbështetjen.

“Qeveria, Ministria e Drejtësisë i kanë dhënë dje dhe vazhdojnë t’i japin ende mbështetje aktive të pakushtëzuar, procesit të reformimit të drejtësisë shqiptare si në instrumente ligjorë, mbështetje infrastrukturore dhe mbështetje konkrete buxhetore, të bindur për një investim shumë më të madh për të ardhmen. Mbështetja, asistenca dhe kontributi i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe  misioneve të tyre, kanë qenë faktor kyç që në nisje të reformës, për miratimin dhe zbatimin e saj dhe të tillë do të mbeten në vazhdimin e jetësimit dhe funksionimit me efikasitet të këtyrë institucioneve”, nënvizoi ajo.

Gjonaj, komentoi edhe sulmet e vazhdueshme që janë bërë ndaj reformës në drejtësi nga disa politikanë dhe analistë.

“Siç e dimë, nuk ka pasur gjë më të sulmuar në këtë vend se sa reforma dhe njerëzit që ju përkushtuan asaj, dje dhe sot. Pa kursyer askënd, shqiptarë dhe ndërkombëtar.Ishte dhe mbetet një betejë midis të vjetrës dhe të resë, një betejë midis te djeshmes dhe të ardhmes. Një betejë që duhet të na bëjë më të fortë, më të vëmendshëm dhe kryesorja më të përgjegjshëm. Sulmet dhe balta ndaj reformës duhen përbuzur dhe padyshim reagimi më i mirë është ecja përpara dhe rezultatet konkrete. Kritikat konstruktive për një ritëm më të shpejtë, për cilësi më të mirë në formatimin e institucioneve dhe vendimmarrjen e tyre duhen dëgjuar me respekt dhe duhet reflektuar. Është përgjegjshmëri e ne të gjithëve, ndaj ligjit dhe qytetarëve”, tha ministrja e Drejtësisë.

Ndërkohë, ajo nuk harroi t’i urojë mirë se ardhjen edhe ambasadores së re të SHBA-së Yuri Kim, e cila zgjodhi që këtë organizim ta kishte aktivitetin e parë publik.

“Sot, midis nesh kemi një mysafire, një mike të re.  Një grua, një zonjë shumë të respektuar, ambasadoren e re të SHBA në Tiranë, shkëlqesinë e saj znj.Yuri Kim! Mirë se erdhët në Shqipërinë mike, zonja Ambasadore! Nuk është rastësi që eventi i parë i juaji në publik fillon sot me drejtësinë. E siç urojmë ne shqiptarët: Me këmbë të mbarë!”, uroi Gjonaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA