Një treg i ri për bagëtitë/ Në Kallm shpresojnë të shesin në kushte më të mira

30/01/2020 13:38

Blegtorët e Fierit dhe Mallakastrës janë të detyruar të shkojnë në tregjet e Lushnjës dhe të Beratit, për të shitur bagëtitë apo prodhimet blegtorale.

Ata presin që tregu i ri rajonal i bagëtive që po ndërtohet në fshatin Kallm të Fierit, do t’u japë fund problemeve të fermerëve të kësaj zone. Ky treg do të shërbejë jo vetëm për shitblerjen e gjësë së gjallë, por edhe për shërbimin thertore. Ky investim është një nyje lidhëse tregtare midis fermerëve dhe tregtarëve të Fierit, Mallakastrës, Beratit dhe Lushnjës.

Tregu rajonal i bagëtive ka një sipërfaqe prej 2470 metrash katrore dhe një kapacitet prej 500 njësi gjedhi më shumë se 3 mije krerë bagëti dhe të imta.

Ndërtimi i tregut kushton rreth 320 mijë euro dhe pritet të përfundojë në fund të muajit Mars. Ky treg do të marrë një rëndësi të veçantë pas përfundimit të Unazës Bujqësore të Myzeqesë, e cila lidh fshatrat e disa njësive administrative të bashkive Fier, Lushnjë dhe Roskovec.

Top Channel