Shau në Australian Open/ Federer, 3.000 dollarë gjobë

29/01/2020 21:47

Tenisti, Roger Federer është ndëshkuar me 3,000 dollarë për sharje gjatë çerekfinales së zhvilluar në turneun Australian Open, kundër tenistit amerikan, Tennys Sandgren.

Atij iu dha një dënim për shkelje të rregullave teksa edhe vetë e pranoi në një konferencë për shtyp se ka sharë në “disa” gjuhë, pasi ishte zemëruar me paralajmërimin që i bëri në fushë gjyqtarja e lojës, Marijana Veljovic. “Ajo duket se flet disa gjuhë. Këtë nuk e dija. Herën tjetër më duhet të sigurohem për aftësitë gjuhësore të njerëzve në fushë”, tha Federer, që deri tani ka fituar 20 çmime Grand Slam.

“Sinqerisht, mendoj se është normale që të arrijë një pikë kur edhe zemërohemi. Për mua ishte e vështirë. Nuk është se unë njihem për përdorimin e fjalëve të tilla”, tha tenisti i njohur. Pas fitores kundër Sandgren, Federer do të përballet në gjysmëfinale me kampionin aktual të këtij turneu, Novak Gjokovic.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA