“Hetuesi i diktaturës komuniste, që sot drejton Prokurinë e Posaçme Antikorrupsion, Arben Kraja, nuk është emëruar në krye të SPAK-ut për të ndëshkuar politikanët me pushtet, por për t’i mbrojtur ata’, kështu deklaroi sot nga selia blu Enkelejd Alibeaj.

Sipas PD “Vendimi i tij i paligjshëm dhe politik për të mos hetuar krimin e rëndë të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër i shërben kreut të grupit të strukturuar kriminal, Edi Rama, i cili urdhëroi masakrën elektorale të Dibrës 3 vjet e gjysëm më parë.

Pas vendimit që synon varrosjen e dosjes 184 dhe çlirimit penal të Edi Ramës e Damian Gjiknurit nga akuzat për vjedhjen e zgjedhjeve, Partia Demokratike e konsideron Arben Krajën një shërbëtor tjetër të Edi Ramës në drejtësi”.

DEKLARATË PARTIA DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ

Hetuesi i diktaturës komuniste, që sot drejton Prokurinë e Posaçme Antikorrupsion, Arben Kraja, nuk është emëruar në krye të SPAK-ut për të ndëshkuar politikanët me pushtet, por për t’i mbrojtur ata.

Vendimi i tij i paligjshëm dhe politik për të mos hetuar krimin e rëndë të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër i shërben kreut të grupit të strukturuar kriminal, Edi Rama, i cili urdhëroi masakrën elektorale të Dibrës 3 vjet e gjysëm më parë.

Pas vendimit që synon varrosjen e dosjes 184 dhe çlirimit penal të Edi Ramës e Damian Gjiknurit nga akuzat për vjedhjen e zgjedhjeve, Partia Demokratike e konsideron Arben Krajën një shërbëtor tjetër të Edi Ramës në drejtësi.

Ky është një nga ato vendime që minojnë besimin e opinionit publik tek reforma në drejtësi, për të cilën janë hedhur miliona euro dhe dollarë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve në nivele të larta.

Duke mos lejuar SPAK-un të hetojë skemën e vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër, duke mos lejuar të zbulohet zyrtarisht cili ishte roli i Edi Ramës, çfarë detyre i dha Damian Gjiknurit, sa para hodhën në fushatë për blerjen e votës dhe frikësimin e votuesve, cili është burimi i këtyre parave, cilat ishin grupet e drogës që përfshiu në zgjedhje Partia Socialiste, Arben Kraja ka vepruar kundër interesave të Shqipërisë.

Duke ridërguar dosjen 184 në Dibër, drejtuesi i SPAK, praktikisht, ka varrosur hetimin e një krimi të dokumentuar zgjedhor, i cili është kusht i Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Juridikisht, nuk ka asnjë dilemë që Arben Kraja mashtron për llogari të Edi Ramës, kur thotë se SPAK nuk ka kompetencë për të hetuar Edi Ramën. Prokuroria e Posaçme u ngrit për një qëllim të vetëm – të çojë para drejtësisë politikanët që shkelin ligjin.

Politikisht, Partia Demokratike shpreh keqardhjen që, për shkak të drejtuesit të saj, shërbëtor të Edi Ramës, SPAK-u ka marrë një goditje të rëndë në imazhin si organ i pavarur.

Shërbimi ndaj partisë në pushtet u paralajmërua prej nesh, që kur u zbulua se drejtuesi i SPAK kishte qenë një hetues i zellshëm i regjimit komunist deri në grahmat e tij të fundit. Prandaj ne i kërkuam atij dhe një anëtari tjetër të SPAK, që u kap në foto me Ulsi Manjën e Partisë Socialiste, të hiqnin dorë për të ruajtur integritetin e Prokurorisë së Posaçme.

Partia Demokratike e ka bërë të qartë prej fillimit se ajo nuk do të paragjykojë punën e këtij organi, i cili është i vetmi nga organet e reja të drejtësisë që ne kemi votuar me garancinë e partnerëve tanë.

Partia Demokratike ka paralajmëruar gjithashtu, se dosjet 339 dhe 184 për shitblerjen e votave janë një nga testet e medha, nëse do të kemi apo jo SPAK të vërtetë, siç e presin shqiptarët.

Me vendimin për të refuzuar hetimin e dosjes 184, Arben Kraja, tregoi se SPAK është në rrezik të kthehet në një shtojcë të partisë në pushtet dhe kryeministrit të vendit, duke dëmtuar rëndë imazhin, integritetin dhe besimin e shqiptarëve tek Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.

Top Channel