Top Story/ Si u pritën muxhahedinët në Shqipëri dhe kush i financon ata në kampin Ashraf 3

28/01/2020 22:18

Brenda pak vitesh, që nga 2013-a, me mijëra muxhahedinë erdhën në Shqipëri. Disa prej tyre shprehen se nuk e njihnin fare Shqipërinë, as nuk e dinin që ekzistonte si shtet. Por kur erdhën këtu Shqipëria iu duk si një dhuratë nga Zoti.

“Ishte hera e parë që dëgjoja të flitej për Shqipërinë. Nuk e dija që ekzistonte. U thosha miqve që ishte vendim hyjnor që të vinim në këtë vend”, tregon Damona Tavoni, anëtare e OMPI-së

Në fillim Muxhahedinët u vendosën në disa godina të vogla në periferi të Tiranës. Në atë kohë u fol shumë për pasojat që do të kishte vendi ynë nga pranimi i muxhahedinëve. Vendimi që mori qeveria Shqiptare konsiderohet si një mbështetje e madhe për aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ka pasur zëra që marrëveshja është bërë edhe për përfitime ekonomike nga pala shqiptare. Këtë nuk e vërtetojmë dot, por zonja Gjebrea që në atë kohë ka qenë zv. Ministre e Brendshme, e mohon një gjë të tillë.

“Nuk janë bërë diskutime të përfitimeve ekonomike në lidhje me këtë gjë. Padyshim që ne i kemi aleatë i kemi bashkëpuntorë dhe ka qenë një operacion i mbështetur nga aleati ynë”, tregon Elona Gjebrea, ish – Zv. Ministre e Brendshme

Fillimisht kur u vendosën në Shqipëri muxhahedinët u panë si njerëz të arratisur nga frika e një regjimi të ashpër politik. Ndërsa u futën në disa baraka dhe godina të vjetra ata të krijonin imazhin e refugjatëve që vuajnë për mbijetesë. Por kjo nuk ishte aspak e vërtetë.

Ata kishin një qëllim shumë më të madh se sa të shpëtonin kokën nga rraketat e Iranit. Ata donin të kishin një qytet të tyrin edhe këtu. Të ndërtonin në Shqipëri kampin “Ashraf 3”. Të gjithë u habitën kur qyteti i tyre u ndërtua në vetëm 18 muaj. Dhe ai nuk ishte i vogël, as i rëndomtë. Çdo gjë ishte me standarde të larta, si godinat ashtu edhe hapësirat brenda kampit. Gjëra të tilla nuk ndërtohen nga njerëz që po vuajnë për bukën e gojës.

Muxhahedinët treguan se kanë një potencial të madh ekonomik. Edhe toka mbi të cilën u ndërtua ky kamp u ble me para në dorë nga banorët e fshatit Manzë. E gjithë kjo vepër u bë e mundur nga burimet financiare të vetë organizatës.

Këtu ne vijmë tek një pyetje themelore që shumë njerëz e bëjnë. Ku i gjejnë financat muxhahedinët për të ndërtuar një qytet të tillë? Ne ia drejtuam këtë pyete të drejtëpërdrejtë përfaqësuesit të organizatës në Shqipëri.

“Jemi një lëvizje e pavarur. Kemi qenë gjithnjë të pavarur. Dhe të gjitha problemet financiare zgjidhen nga populli iranian. Është një lëvizje e përhapur gjerësisht. Jo vetëm brenda Iranit, por edhe jashtë. Ekzistojnë në shumë vende. Në Europë, në SHBA, Kanada, Australi. Edhe brenda në Iran. Paratë tona financohen nga njerëz iranianë brenda Iranit. Sepse njerëzit në Iran kanë shumë besim te muxhahedinët. E dinë që muxhahedinët po luftojnë vetëm për lirinë e Iranit”, tregon Mehdi Baraei, përfaqësues i MEK-ut për Shqipërinë

Pra, paratë vijnë nga mbështetësit dhe populli Iranian.

Top Channel