Në Aceh, të vetmin rajon të Indonezisë që ka imponuar ligjin islamik, rrahja me kamzhik mbetet një dënim i zakontë për një numër krimesh, përfshirë bixhozin, tradhtinë, konsumin e alkoolit apo marrëdhëniet seksuale paramartesore ose gay.
Qeveria lokale thotë se po përpiqet të respektojë ligjin islamik duke ftuar që më shumë femra tu bashkohen skuadrave të fshikullimit për të ndëshkuar me kamxhikë keqbërëset femra.
Dhe janë të shumta të rejat që po i bashkohen skuadrës së parë femërore të fshikullueseve në provincë. Ato kanë nevojë për pak trajnim, para se të jenë të gatshme për të fshikulluar fajtoret. Gruaja që do të ndëshkohet tani, është një e pamartuar që ishte kapur në një dhomë hoteli me një burrë. Një sjellje e tillë përbën një krim moral në Aceh, rajonin e vetëm të botës ku aplikohet sheriati. Ata që gjenden fajtorë për një krim, shpesh fshikullohen me kamzhik në publik.
Ndëshkimi i polemizuar zemëron aktivistët e të drejtave të njeriut dhe gjeneron një debat të ashpër në media. Presidenti i Indonezisë ka apeluar që të ndalen fshikullimet në publik por ai ka pak zë në atë që ndodh në Aceh, një rajon shumë konservator në ishullin e Sumatrës. Ndryshe nga pjesa tjetër e vendit, Aceh, ndjek ligjin fetar, si pjesë e një marrëveshjeje për autonomi të arritur në 2005, me qeverinë qendrore, që i dha fund dekadave rebelim. Fshikullimi publik në Aceh mbetet një ndëshkim i zakonshëm por deri më tani, puna bëhej vetëm nga meshkuj.
Top Channel