Top Story është futur me kamera brenda kampit Ashraf, nën masa të rrepta sigurie. Pyetja e qëllimit të gazetarit është: “Si është të depërtosh në botën e një muxhahedini? Si jetojnë këta njerëz, dhe me çfarë merren brenda këtij kampi?”.
Monumenti madhështor që kanë ngritur në hyrje, është objekti i parë që tërheq vëmendjen. “Fitorja është e jona, e ardhmja është e jona”. Këto janë fjalët që mirëpresin çdo vizitor në kamp.
Përmasat dhe vendosja e monumentit në hyrje, tregojnë që këta njerëz ndihen krenarë në misionin e tyre e që nuk e kanë humbur shpresën.
Teksa futesh më thellë në këtë qytezë vetëm 3 vjeçare, përjeton menjëherë historinë e tyre. Stacioni i dytë i kushtohet martirëve të kësaj organizate. Dhe ata nuk janë pak. Këtu do të ndalemi dhe të kthehemi mbrapa në kohë.
Përgjatë historisë shumë grupe politike dhe fetare në vende islamike e kanë quajtur veten muxhahedinë. Ata kanë luftuar herë për çlirimin nga pushtuesit e huaj dhe herë për çlirimin nga regjimet shtypëse në pushtet. Ata që kanë ardhur në Shqipëri njihen më saktësisht si “Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit”.
Në këtë ditë janari që ne kemi vizituar kampin “Ashraf 3” në Manzë të Durrësit, bëhen 40 vjet nga revolucioni islamik në Iran. Shumë vite kanë kaluar. Muxhahedinët nuk janë dorëzuar akoma. Por në këto 4 dekada ata kanë paguar një çmim shumë të lartë, 120 mijë jetë të humbura. Ata janë shpërngulur 4 herë nga vendbanimet e tyre. Dhe sot janë shpërndarë në çdo cep të botës.
Ndërsa kemi hyrë në brendësi të kampit, të bën përshtypje pastërtia, rregulli dhe qetësia që zotëron aty brenda. Gjithçka është e sistemuar dhe e pastër. Ky është monumenti i dy tulipanëve të kuq. Simbol i lirisë dhe i gjakut të martirëve. Kampi ka një kuzhinë të madhe që ushqen 2500 veta çdo ditë. Kuzhinierët Iranianë po gatuajnë bukët, orizin e po pjekin qebapin tradicional.
Kampi ka një klinikë mjekësore të mirëfilltë ku nuk mungon asnjë nga shërbimet. Madje aty kanë ngritur edhe klinikën dentare, ku shërbejnë mjekë Iranianë. Rrugëve nuk sheh fytyra të zymta e të vuajtura. Por njerëz me energji dhe njerëz të motivuar.
Kampi ka një palestër moderne. Muxhahedinët i kushtojnë një rëndësi të veçantë formës fizike. Jo më kot quhen luftëtarë të lirisë. Një pamje e zakonshme në “Ashraf 3” janë grupe burrash që bëjnë vrap për të mbajtur trupin në formë. Kampi gjithashtu ka një mobilieri të vetën. Ishte befasi të gjenim mjeshtrit duke punuar një raft librash që ishte porosi për disa banorë të kampit. Brenda kampit pastrimi i rrugëve bëhet me makina dhe jo me krah.
Ndërkohë aty vazhdojnë të ngrihen godina të reja. Punëtorët janë përsëri vetë muxhahedinët. Zyrtarët e kampit thonë që këtu askush nuk rri kot. Nga 2500 persona secili prej tyre ka një detyrë të veçantë. Kampi është i ndarë në departamente, duke filluar që nga media, mirëmbajtja, logjistika, ushqimi, kujdesi mjekësor, administrata, ndërtimi, produksionet muzikore, qendra e internetit, e shumë të tjera.
Një gjë është e qartë, muxhahedinët në këtë kamp nuk janë thjeshtë të strehuar nga frika. Aty punohet. Aty bëhet opozitë në distancë me regjimin diktatorial në Iran.
Në qendër të kampit na tërheq vëmendjen një godinë madhështore me një oborr të madh përpara. Ky është muzeu i vuajtjes. Muzeu i më shumë se një shekulli vuajtje të popullit Iranian. Aty janë prezantuar ngjarjet më historike në foto e video. Aty janë improvizuar qelitë e burgjeve famëkeqe të Iranit dhe torturat që u bëheshin njerëzve.
Top Channel