Boris Johnson sfidon hapur Amerikën/ I lejon Huaweit qasje në 5G

28/01/2020 18:38

Mbretëria e Bashkuar ka vendosur të lejojë kompaninë kineze Huawei, ta vazhdojë edhe pse me disa kufizime aktivitetin në rrjetin 5G, dhe kjo, pavarësisht presioneve të mëdha nga  SHBA-ja për ta bllokuar bashkëpunimin me kompaninë në fjalë. Kryeministri britanik, Boris Johnson, ishte përballur me një trysni të fortë nga Shtetet e Bashkuara, dhe disa deputetë konservatorë, për të bllokuar gjigantin e teknologjisë kineze.

Por, Pekini e kishte paralajmëruar dhe ai Mbretërinë e Bashkuar se mund të ketë pasoja “të thella” në planet e tjera të tregtisë dhe investimeve, nëse kompania do të ndalohej plotësisht. Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur Huawein si rrezik për sigurinë kombëtare dhe i kanë bërë thirrje vendeve aleate të ndërpresin bashkëpunimin me të në fushën e rrjetit 5G.

Uashingtoni dyshon se kjo kompani bashkëpunon me qeverinë kineze dhe se të dhënat e përdoruesve të saj nuk janë të sigurta, por Huawei me qendër në Kinë, i ka mohuar vazhdimisht këto akuza. Rrjeti 5G paraqet gjeneratën e fundit të lidhjes së telefonave të zgjuar me internetin dhe ofron shpejtësi shumë më të madhe shkarkimi nga sa ekziston aktualisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA