Partia Socialdemokrate në Kosovë i konsideron të dëmshme marrëveshjet me Serbinë për linjën ajrore dhe atë hekurudhore me argumentin se ato cenojnë sipas saj, sovranitetin e vendit.
“Tani flitet për linjën hekurudhore. Sërish procesi është i mbyllur, dhe qytetarët e Kosovës po vendosen para aktit të kryer” thuhet në deklaratën, ku nënvizohet më tek se marrëveshja e linjës ajrore Prishtinë- Beograd kishte për bazë rezolutën 1244.
“Marrëveshja e re u paralajmërua nga deklarata për shtyp e vizitës së ambasadorit amerikan Grenell në Beograd. Kjo deklaratë zbuloi edhe diçka: se krerët në pushtet e të opozitës kanë dhënë pëlqimin për marrëveshjet e arritura pavarësisht përmbajtjes së tyre dhe pa i verifikuar mirë.
I pyetur nga ‘Koha Ditore’ ambasadori Grenell ka thënë se: ‘për marrëveshjen në fjalë e ka pëlqimin edhe nga qeveria në detyrë, por edhe nga partitë politike që po negociojnë për koalicionin qeverisës’”, thuhet në reagimin e PSD. Sipas kësaj të fundit, marrëveshjet e arritura nga ky proces janë të dëmshme sepse secila prej tyre në fushën konkrete e cila nuk paraprihet nga marrëveshja politike e njohjes reciproke cenon sovranitetin e Republikës së Kosovës.
“Negociatat midis VV dhe LDK nuk duket se e kanë pasur subjekt diskutimi këtë çështje. Mosmarrëveshja e tyre nuk është dialogu me Serbinë, por as programi e cilësia e qeverisjes. Siç duket diskutimet e tyre lidhen vetëm për hisen e pushtetit”, është komenti i PSD-së./Irida Vasia/
Top Channel