Policia e Korçës ka vënë nën pranga Liridon Salihin, i cili ishte shpallur në kërkim në disa qarqe, me precedent të mëparshëm penal në fushën e mashtrimeve.
I ndaluari, Liridon Salihi, 31-vje nga Gjilani, tentoi ti largohet policisë duke kundërshtuar urdhrin e punonjësve të policisë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj tij, iu gjet 1 kartë identiteti shqiptare e dyshuar si e falsifikuar, si dhe në mjet iu gjet 1 thikë dhe 1 sopatë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Shtetasi i mësipërm rezulton i shpallur në kërkim në qarqet Vlorë, Elbasan, Tiranë e Fier, për veprën penale “Mashtrimi” si më poshtë:
-Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 2 vjet burg, pasi nëpërmjet mashtrimit që u ka bërë dy personave (në kohë të ndryshme) dyshohet se ka përfituar një shumë mbi 10000 euro.
-Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës, e cila ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën “Mashtrimi, kryer në bashkëpunim”.
-Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, pasi ky shtetas në disa raste ka përfituar me anë të mashtrimit shuma parash duke shituar mjete të marra me qira.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel