Mijëra demonstrues u mblodhën në Uashington për një tubim vjetor kundër abortit. Në këtë tubim mbajti një fjalim dhe Presidenti Donald Trump.
“Ne jemi këtu për një arsye shumë të thjeshtë, për të mbrojtur të drejtën e çdo fëmije, të lindur ose jo, për të përmbushur potencialin që i ka dhënë Zoti. Për 47 vite amerikanët pa dallim, kanë udhëtuar nga i gjithë vendi për të mbështetur të drejtën për të jetuar. Sot si President i Shteteve të Bashkuara, jam vërtet krenar që jam këtu me ju”, tha zoti Trump.
“Fëmijët që ndodhen në barkun e nënës e nuk kanë lindur ende kurrë nuk kanë patur një mbrojtës më të fortë se Shtëpia e Bardhë”, shtoi Presidenti.
“Demokratët e Senatit e bllokuan legjislacionin që do t’i jepte kujdes mjekësor foshnjave që i mbijetojnë përpjekjes për abort. Dhe kjo është arsyeja pse unë i kam bërë thirrje Kongresit, që të mbrojë të drejtën për të jetuar e të miratojë ligjin që ndalon abortin në një periudhë të vonë të shtatzënisë gjatë së cilës fëmija mund të ndjejë dhimbje në barkun e nënës”, tha ai.
Pjesmarrjen në “Marshimin për jetën” Presidenti Donald Trump e njoftoi të mërkurën në një postim në twitter, çka shënon dhe pjesmarrjen për herë të parë në këtë tubim të një presidenti në detyrë.
Fjalimi i zotit Trump, i cili dikur e cilësonte veten si një njeri shumë pro zgjedhjes së lirë, vjen ndërsa ndaj tij po zhvillohet një gjyq në Senat që synon shkarkimin nga detyra.
Disa ditë përpara njoftimit të zotit Trump se do të merrte pjesë në këtë tubim një organizatë politike kundër abortit, e quajtur “Lista Susan B. Anthony”, bëri të ditur se do të dhurojë 52 milionë dollarë për ta mbështetur atë dhe kandidatët e tjerë republikanë në zgjedhjet e nëntorit.
Presidentja e grupit NARAL Pro-zgjedhjes Ilyse Hogue, në një postim në twitter shkruante se vendimi i zotit Trump për të mbajtur fjalim në tubim është një përpjekje e dëshpëruar për të larguar vëmendjen nga presidenca e tij kriminale, siç shkruante ajo, dhe për t’i dhënë energji bazës së tij radikale.
Donald Trump është presidenti i parë që merr pjesë në këtë marshim në historinë e tij 47-vjeçare./VOA
Top Channel