Shkolla në Surrel, Rama elozhe punës së Veliajt: E bërë me shumë përkushtim e cilësi

25/01/2020 15:00

Përveç rikonstruksionit të rrugës, banorët e zonës së Surrelit në Tiranë kanë edhe një shkollë e kopësht me kushte shumë herë më të mira për fëmijët e tyre. Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar shkollën e mesme “Ymer Lala” në Surrel, ku mësojnë rreth 300 nxënës, ndërsa bashkëngjitur saj ka edhe një kopsht për më të vegjlit.

Në përfundimin punimeve ishte sot Kryeministri Edi Rama, i cili nuk i kurseu vlerësimet e tij për punën e bërë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Rama tha se gjithçka është bërë me shumë përkushtim dhe cilësi si kudo ku Veliaj vë dorë.

“Më vjen shumë mirë që sot ka përfunduar ky projekt sepse shkolla ka qenë vërtet në një gjendje të keqe. Drejtori po më thoshte se nuk është investuar që nga viti 1969. E rëndësishme është që gjithçka është bërë me shumë përkushtim dhe cilësi, si kudo ku vë dorë Lali Eri, dhe përpiqet që jo vetëm për t’u krijojë kushte optimale atyre që vijnë në shkollë, por edhe për t’u dhënë shpresë dhe optimizëm atyre që presin që t’ju vijë radha, sepse gjërat bëhen me radhë dhe përpiqemi t’i shfrytëzojmë maksimalisht mundësitë”, theksoi Rama.

Shkolla e mesme e bashkuar ka 6 klasa me rreth 112 nxënës, shkolla 9-vjeçare 160 nxënës dhe kopshti 31 fëmijë. Rikonstruksioni përfshiu rifiniturat e brendshme e të jashtme, nyjet sanitare, ndërtimin e mjediseve shtesë në funksion të shkollës, punime në sistemimin e jashtëm si dhe sistem qendror ngrohje.

Veliaj: Të vendosur që Tirana të modernizohet cep më cep

Nga shkolla e rikonstruktuar “Ymer Lala” në Surrel, ku ishte bashkë me kryeministrin, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se investimet në zonat rurale janë rezultat i ndarjes së re administrative. “Kryeministri ishte i pari që pati vizionin se zgjerimi i qyteteve dhe i bashkive, duke futur edhe fshatin, do të ishte një histori suksesi. Kështu arritëm të kuptonim se kjo do të ishte sukses vetëm nëse bashkia me fuqinë e saj, duke marrë taksa nga zona pak më të pasura, si Blloku, i çon në periferi, si rishpërndarje”, tha Veliaj. Ai nënvizoi se falë vizionit të kreut të qeverisë, tashmë edhe zonat rurale që nuk do kishin mundësi financiare, mund të kenë investime të tilla dhe në të njëjtën kohë të zgjidhen edhe konfliktet mes fshatrave.

“Ideja për Tiranën e madhe zgjidhi konfliktet që kemi pasur prej vitesh. Një komunë ishte e një pale, dhe komuna tjetër e një pale tjetër, ndërsa ne mes kalonte lumi. Pyetja ishte: Kush e bën urën? Ndaj, pasja e një Tirane të madhe vërtet ishte sfidë, por besoj se më në fund, pas mandatit të parë, po shohim frytet reale se fuqia e madhe e një bashkie mund të çojë investime edhe në Zall Bastar, edhe në Zallherr, edhe në Ndroq, edhe në Krrabë, edhe këtu në zemër të Dajtit, që është Surreli, një nga fshatrat më energjik të gjithë kësaj zone”, shtoi kreu i Bashkisë.

Veliaj tha se ky 100 vjetor është edhe një moment reflektimi për atë që është bërë në këto vite. Ai siguroi se pavarësisht përpjekjeve të një pakice për të penguar, ai bashkë me kryeministrin është i vendosur që Tirana të modernizohet nga qendra gjer në zonën më të largët. “Tirana në 100 vjet kryeqytet ka pasur ecejaket e veta. Mbaj mend kohën kur Edi ka qenë kryetar Bashkie, çfarë sabotimi për të bërë një mbikalim-nënkalim te Zogu i Zi, çfarë sabotimi për të çliruar Lanën. Kur fillova punë në bashki mendova: Këto gjëra kanë kaluar me atë kohë, kur Edi pati aq shumë stërkëmbësha dhe pengesa. Me sa duket, në 100 vjet, akoma s’kemi mësuar që ta lëmë tjetrin të punojë, ende zihemi për të ndërtuar Unazën, për të bërë një kënd lodrash, për të bërë Sheshin Skënderbej, Pazarin. Akoma zihemi për të bërë një Teatër. Mendojnë se edhe 100 vjet të tjera, do të shkojmë në Teatër me batanije. Kjo s’ka shans të ndodhë. Jemi të vendosur, me kryeministrin, që Tirana të modernizohet cep e më cep, nga maja e malit në Surrel, deri te Sheshi Skënderbej, e deri afër Durrësit, ku ne ndahemi me Ndroqin, Kasharin dhe me komunat e tjera”, deklaroi Veliaj.

Top Channel