Napoli nuk fiton në një ndeshje kampionati në “San Paolo” që prej muajit tetor dhe do të kërkojë të thyejë këtë “mallkim” të dielën në mbrëmje, kur do të presë kampionët në fuqi të Italisë, Juventusin.
Skuadra vazhdon të punojë fort për takimin ndaj bardhezinjve, ndërsa trajneri Genaro Gattuso ka marrë lajme mjaft të mira nga infermieria, pasi do të ketë gati për këtë takim dy mbrojtësit Maksimoviç dhe Koulibaly, që mungonin prej javësh për shkak dëmtimi.
Mbrojtësi serb prej dy ditësh stërvitet rregullisht me skuadrën dhe është gati për të luajtur qoftë edhe nga minuta e parë, ndërsa Koulibaly ka zhvilluar vetëm stërvitje të pjesshme me shokët e ekipit.
Pikërisht për këtë arsye senegalezi me shumë gjasa do të niset nga stoli, për t’u hedhur në fushë vetëm nëse do të jetë e nevojshme në lojë e sipër, pasi Gattuso nuk ka ndërmend të rrezikojë duke e ekspozuar ndaj një tjetër dëmtimi.
Sa i takon pjesës tjetër, në mënyrë të diferencuar janë stërvitur edhe Allan, Younes e Ghoulam, që ashtu si Dries Mertens, vështirë se do të jenë të gatshëm për sfidën e të dielës në mbrëmje ndaj bardhezinjve.
Top Channel