Itali/ Shqiptari godet vëllanë me thikën e kuzhinës, i ndërron rrobat dhe e nxjerr në stacion. Ja çfarë ndodhi

22/01/2020 21:25

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Sparanise të Casertanos në Itali, ku një shqiptar pe leje qëndrimi u përpoq të vriste vëllanë e tij.

Pasi e plagosi, ai e tërhoqi atë të gjakosur në stacionin e trenit, dhe më pas e braktisi në rrugë.

“Il Giornale” shkruan se shqiptari me iniciale S.E., 30 vjeç, u dërgua me urgjencë në spital me një mushkëri të shpuar nga thika e kuzhinës.

Ishin disa kalimtarë që shpëtuan viktimën, të cilët njoftuan urgjencën.

Policët arritën të merrnin në pyetje të plagosurin, i cili tha se ishte plagosur me një mjet të mprehtë qelqi pasi kishte rënë nga biçikleta, por kjo dëshmi nuk i bindi agjentët.

Hetimet i çuan te vëllai i tij, i cili ndërkohë ishte fshehur në shtëpinë e një miku, ku u gjurmua dhe u arrestua më pas.

Mediat italiane shkruajnë se Ergi Shabani, 33 vjeç, gjithashtu i parregullt në territorin italian, akuzoi vëllain e tij për shpenzim të tepër të parave të fituara. Në grindje e sipër, ai e godet me thikë dhe pas kësaj, është ai që e ndihmon për t’i ndërruar rrobat dhe duke e nxjerrë në stacionin e trenit duke tërhequr kështu vëmendjen e kalimtarëve.

Aktualisht, i arrestuari ndodhet në qelitë e paraburgimit.

Top Channel