Ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell do të vizitojë këtë javë Prishtinën dhe Beogradin. Lajmin e konfirmuan zyrtarë të kësaj ambasade për Radion Evropa e Lirë.
Kësaj të fundit i është thënë se Grenell, i cili është njëkohësisht dhe i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, do të takohet më së pari të enjten me presidentin Hashim Thaçi. Pas kësaj, mëngjesin e së premtes, atë e prêt në Beograd kreu I shtetit serb, Aleksandar Vuçiç.
Vuçiç tha për televizionin publik serb nga Forumi Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos të Zvicrës, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme t’i dëgjojnë kërkesat dhe problemet e Beogradit lidhur me Kosovën. Vizita e Grenellit vjen vetëm pak ditë pasi ndërmjetësoi arritjen e marrëveshjes mes dy palëve dhe kompaninë gjermane “Lufthansa“ për vendosjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd. SHBA e cilëson historike, ndërsa BE-ja u shpreh “e befasuar” me të.
Tetorin e vitit të kaluar, kur sapo ishte caktuar i dërguar i posaçëm i Amerikës për Prishtinën dhe Beogradin, ai qëndroi në Kosovë për takime me Thaçin dhe me liderë të tjerë politikë. Asokohe, nga presidenca e Kosovës, thanë se Grenell kishte këmbëngulur se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vendosë bazën për zhvillim ekonomik dhe do t’i kontribuojë mirëqenies së gjithë qytetarëve.
Top Channel