Emisari special i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Richard Grenell, ka thënë se me rëndësi për SHBA-në është arritja e progresit në rajon, në rastin konkret në Kosovë dhe Serbi, në aspektin ekonomik.
“Presidenti Trump ka qenë i fokusuar për të zgjidhur problemet, jo duke shikuar mbrapa. Ne duam të bëjmë progres në rajon, Kosovë, Serbi, në aspektin ekonomik. Të rinjtë duan punë”, ka thënë Grenell.
Duke u përqendruar në këtë çështje, në një deklarim të shkurtër para një darke pune me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, Grenell ka thënë se “çfarë po duam të bëjmë ne, është që fokusi të jetë tek njerëzit”.
“Njerëzit e Kosovës meritojnë të kenë vende të reja të punës dhe të ardhme të ndritshme. Çfarë dua të bëjë unë që të merremi me të gjitha këto çështje të bllokuara që kanë ndikim ekonomik të zgjidhen. Duam të shtyjmë të dy qeveritë dhe liderët në Kosovë dhe Serbi – dhe tu themi që të shikojnë njerëzit, filloni me hapjen e vendeve të punës”.
“Për këtë jam këtu dhe nuk të kyçem në debatin politik, sepse kjo na lë mbrapa”.
Sipas tij, komuniteti i bizneseve në Amerikë dhe në Evropë duan të vijnë këtu (të investojnë) në rajon, por kjo nuk mund të ndodhë nëse ka konflikte nga establishmentet politike.
Top Channel