I ftuar ditën e sotme në studion e emisionit “Top Talk” ishte analisti Frrok Çupi. Data 20 janar shënjonte 100 vjetorin e themelimit të parlamentit në Shqipëri.
Kujtojmë që Shqipëria ka kaluar dy sisteme të ndryshme qeverisëse, nga viti 1945 e deri në vitin 1990 Shqipëria ndodhej në një sistem komunist, të udhëhequr nga diktatori Enver Hoxha. Ndërsa nga viti 1990 e më tutje frenat e qeverisë i mori sistemi demokratik, që sipas analistëve të fushës politike është ende në një proces tranzicioni, duke paraqitur shumë mangësi. Analisti Çupi në studio u ndal në shumë tema.
Por gjatë fjalës së tij ai paralajmëroi ngjarje tronditëse dhe shpresëdhënëse. Ai iu referua partive politike të vendit si anije, duke shtuar se poshtë detit të madh që ata lundrojnë do të ketë zhvillime të rëndësishme. Gjatë viteve të komunizmit e kishim një fajtor thotë analisti, ndërsa në ditën e sotme jemi të gjithë fajtor duke e ndotur demokracinë më shumë se ishte ndotur komunizmi për 40 vite.
“Qeveria që vjen padyshim do ë jetë një qeveri me bazë të gjerë. Ndërkohë duhet të kemi parasysh edhe sfondin kur vendosen këto. Ne ndodhemi në një moment ku zhvillimet tona janë një det i madh, poshtë në det ne kemi zhvillime shumë të mëdha (duke iu referuar politikës).
Presim gjëra nga më të çuditshmet, nga më të rejat, nga më tronditëset ose nga më shpresëdhënëset. Brenda politikës, brenda atyre dy tre anijeve që lëvizin në det (duke iu referuar tre partive kryesore politike në Shqipëri PS-PD-LSI).
Nëse rikthehemi tani në vitet 1991 kur ne e fituam pluralizmin politik dhe demokracinë. Kishim një shans shumë të madh se e kishim një fajtor, dhe fajtorë ishte komunizmi. Ne tani i kemi të gjithë fajtor, domethënë demokracia është ndotur aq shumë sa ishte ndotur komunizmi për 40 vjet”, u shpreh analisti Frrok Çupi.
Top Channel