Familja Tafa bëhet me shtëpi të re pas tërmetit, Rama dhe Veliaj japin lajmin e mirë për lagjet e reja

22/01/2020 12:31

Familja Tafa mbeti në qiell të hapur pas tërmetit të 21 shtatorit dhe sot ata kanë hyrë në banesën e tyre të re, e rindërtuar dhe e mobiluar nga e para. Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë se Tiranes, Erion Veliaj i dorëzuan kryefamiljarit Riza Tafa çelësat e shtëpisë, prej nga dhanë lajmin e mirë se të gjitha familjet që humbën banesën e tyre individuale nga tërmeti do të hyjnë në shtëpi të re, më të mirë se ajo që kishin, brenda këtij viti, në të gjitha zonat jashtë qytetit.

“Po bëjmë me shpejtësi sa mundemi planet e ndërtimit, se s’duam të bëjmë thjesht shtëpitë që ishin, por duam t’i bëjmë edhe më te mira, siç jeni ju këtu që është më mirë se shtëpia që u prish. Kur mendon se ka kaluar shumë pak kohë dhe fillojnë e ankohen… dhe kush ankohet? Nuk ankohen ata që janë në çadra, por ata që rrinë ne kafe dhe shohin televizor. Ndërkohë, sot akoma në Itali, që është gjithë ajo fuqi, njerëzit e prekur nga tërmeti i para 10-15 viteve jetojnë nëpër kabina dhe presin shtëpitë. Megjithatë, do bëjmë çmos, duam që grupin e familjeve me shtëpi individuale ta mbyllim brenda këtij viti. Të gjithëve t’u krijojmë një shtëpi më të mirë se ajo që kishin brenda këtij viti, por këto janë procedura, planifikime, nuk është diçka që bëhet shpejt”, theksoi Rama.

Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se puna ka vijuar edhe me meremetimin e banesave të dëmtuara, duke dhënë leje brenda 24 orëve. Pas sistemimit të banorëve të prekur në shtëpitë e reja apo në kontenierë, do të fillojë mbledhja e çadrave te shpërndara.

Vajza e madhe e shtëpisë, Xhensila, falenderoi kryeministrin dhe kryetarin e Bashkisë, jo vetëm për ndihmën për banesën e re, por edhe për bursën që u jepet studentëve me rezultate të larta në universitet. “Me këtë ligjin e ri të mesatares 9-10, patën shumë studentë mundësi të përfitonin, sidomos edhe me të gjitha ligjet dhe amendamentet që u bënë për studentët, apo me Kartën e Studentit që i ka të lehtësuara mjaftueshëm për ne. Është vullneti, kurajo që duhet për të vazhduar përpara dhe mbështetja nga ju ka qenë e jashtëzakonshme”, u shpreh e reja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA